BIK-u ia ndalon Fakultetit të Studimeve Islame konkursin për programin e akredituar

Prishtinë | 30 Gus 2022 | 21:09 | Nga Ekonomia Online

7600 euro dhe shumë orë angazhime janë shpenzuar nga Fakulteti i Studimeve Islame për ta akredituar programin e Pedagogjisë Islame.

Pavarësisht se është bërë gati edhe planprogrami, ky institucion arsimor nuk ka hapur konkurs për këtë drejtim, as vjet, as sivjet.

Siç merr vesh Klan Kosova, është Bashkësia Islame në krye me Naim Tërnavën që nuk e ka lejuar FSI-në të pranojë studentë në këtë program.

Udhëheqësia e kësaj të fundit nuk e mohoi presionin nga BIK-u, por nuk u deklarua më tej.

Dekani Fahrush Rexhepi konfirmoi se qe dy vite akademike nuk kanë hapur konkurs për të pranuar studentë në Pedagogjinë e Edukimit Islam, por nuk pranoi t’i sqarojë më tepër raportet me Bashkësinë Islame.

Interesimit disaditor të televizionit, nuk i është përgjigjur BIK-u.

Kjo situatë e ka çuditur edhe vetë Agjencinë e Akreditimit që mund të reflektojë në aplikimet tjera. Drejtori Naim Gashi thotë se i ka shkruar letër FSI-së për të kërkuar sqarime.

“Për neve si institucion është shumë paradoksale, kur shpenzohen resurse humane dhe materiale për një program, merret akreditimi konform legjislacionit që aplikohet në sistemin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, dhe në fund, për arsye të panjohura për neve, bllokohet në program i tillë”, deklaron ai.

Ky tregon se pse është akredituar ky program më 2021.

“Të kemi kuadro tona edhe në këtë fushë dhe të pengojmë infiltrimet e frymave radikale të cilat mund të vijnë nga vendet e Lindjes në Kosovë”, shprehet Gashi për Klan Kosova.

Siç merret vesh, ky rast po analizohet edhe nga organet e sigurisë.

Fakulteti i Studimeve Islame është themeluar nga vetë BIK-u, 30 vjet më parë, e që aktiv aktualisht e ka vetëm programin Teologji Islame në Bachelor dhe Master.

Të ngjashme