Bilanci i Covid-19 në Kosovë gjatë janarit: 8 mijë e 790 të infektuar dhe 163 të vdekur

Prishtinë | 02 Shk 2021 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Gjatë 31 ditëve të janarit 2021 në Republikën e Kosovës janë konfirmuar 8 mijë e 790 raste me COVID-19, prej të cilëve 163 pacientë të infektuar kanë humbur betejën me coronavirusin.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri më i vogël i të infektuarve brenda ditës ka qenë më 1 janar 2021, ku ishin konfirmuar 174 persona të infektuar me COVID-19 ndërsa ka qenë data 24, ku më së shumti janë konfirmuar raste me coronavirus, gjithsej 392.

Vdekje nga coronavirusi më së shumti janë shënuar më 22 janar, ku 14 persona kanë humbur betejën me COVID-19,

Gjatë janarit janë konfirmuar edhe tri raste me versionin e ri të virusit, nga mostrat që ishin dërguar për testim në Gjermani.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në konferencë për media të mbajtur më 29 janar ka thënë se nga 30 mostrat që kanë dërguar për analiza në Gjermani, tri prej tyre kanë rezultuar pozitive.

“Ditëve të kaluara IKSHPK ka dërguar 30 mostra për testim në Gjermani, për variantin e ri të virusit pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të botës. Nga rezultatet e marra tri mostra kanë rezultuar pozitive në testimin preliminar në variantin B117”, ka thënë Zemaj.

Në raportin e fundit ditor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive është 60.500 raste nga 235.724 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.503 raste të vdekjes.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 52.621 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.376.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme