Bizneset respektojnë masat anti-Covid, dy që vepruan ndryshe u gjobitën

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 19:35 | Nga Ekonomia Online

Nga qëndrimi brenda lokaleve për të konsumuar një kafe, këtë të mërkurë shërbimi “take away” ka qenë shërbimi më i kërkuar në kryeqytet. Rënia e temperaturave dhe bora nuk i kanë ndaluar adhuruesit e kafesë që atë ta konsumojnë jashtë ambienteve të lokaleve e afër tyre. Disa janë parë duke ecur me pije në dorë dhe ushqime përgjatë shesheve të Prishtinës.

Ndërkohë, Inspektorati Sanitar të mërkurën gjatë inspektimeve gjobiti dy lokale, të cilat u kishin ofruar shërbime brenda lokaleve.

“Kemi nisur inspektimet prej mëngjesit dhe në përgjithësi lokalet kanë qenë të informuara për masat dhe i kanë respektuar ato. Ekipi tjetër i inspektorëve ka shqiptuar dy gjoba, pasi dy lokale kanë shkelur masat”, ka thënë Eloiza Rukolli, inspektore sanitare.

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka thënë se ata që nga mbrëmë kanë inspektuar lokalet dhe bizneset në komuna të ndryshme të Kosovës, ku ka pasur gjoba për ato lokale që nuk kanë respektuar masat. Thaçi ka thënë se ata në një rast kanë gjobitur një lokal dy herë radhazi pasi është hasur duke i shkelur masat menjëherë pas inspektimit të parë.

Inspektime nëse po respektohen masat e vendosura nga Qeveria pati edhe në disa komuna të Kosovës.

“Vendimi i fundit, që nis prej sot, inspektorët kanë dalë në terren, ku raportohet që masat janë duke u respektuar prej bizneseve”, ka thënë Hamëz Tërshani, drejtor i Shërbimeve Publike në Shtime.

Masat sipas drejtorit të Inspektoratit në Lipjan, Imer Rrustemi, janë respektuar edhe në këtë komunë.

“Në territorin e Komunës po respektohet vendimi i Qeverisë në tërësi dhe kështu ne jemi të kënaqur. Do ta përcjellim vazhdimisht situatën dhe masat. Për fillim gjendja është nën kontroll”, ka thënë ai.

Ndërsa Blerim Berisha, inspektor sanitar në Komunën e Fushë-Kosovës, ka thënë se këtë të mërkurë ata më shumë kanë dhënë vërejtje.

“Deri tash ishim në terren dhe 99 për qind janë duke u respektuar masat. Ka kafene të vogla që nuk janë hapur fare dhe nuk ofrojnë as shërbimin ‘merre me veti’. Ndërkohë, ato që ofrojnë edhe ushqim në përgjithësi janë duke i respektuar masat. Sa u përket qytetarëve, po i përdorin maskat, por ka raste që nuk i vendosin siç është e paraparë. Sot kemi shkuar më shumë me vërejtje, pasi ka qenë dita e parë e hyrjes në fuqi të masave të reja”, ka thënë Berisha.

Rreth 8 mijë kafene, restorante e hotele nga kjo e mërkurë do të jenë të mbyllura deri më 18 prill. Gastronomët kanë kërcënuar se këto masa do t’i respektojnë vetëm deri më 18 prill dhe në rast të moslehtësimit të tyre ata do të protestojnë.

Ndërprerja e punës së gastronomisë dhe kufizimi i lëvizjes janë vetëm disa prej masave të ndërmarra prej Qeverisë, përmes së cilave ajo po synon të ulë shifrat e larta të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid-19.

Të ngjashme