Bjeshkataria, sport që promovon turizmin dhe alpet e Kosovës

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 08:54 | Nga

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK 1, i ftuar ishte Nazmi Hasanramaj nga Klubi Alpin “Prishtina”. Ai ka bërë të ditur se ky klub zhvillon aktivitetin e vet në disa sektorë, siç janë bjeshkataria, alpinizmi e skautingu, derisa një vëmendje e madhe i kushtohet edhe sektorit të fëmijëve.

Hasanramaj fillimisht ka folur për suksesin e arritur në muajin maj të këtij viti, kur ai së bashku me alpinisten, Arineta Mula, arritën ta pushtojnë me sukses majën më të lartë në botë, Monu Everest.

“Ekspedita e Everestit realisht ka qenë jashtë ambicieve të mia personale, ka qenë e lidhur më shumë me klubin alpin ‘Prishtina’ dhe me shtetin e Kosovës. Por, Kosova ka qenë shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka arritur ta pushtojë majën e Everestit dhe ka qenë ndjenjë e jashtëzakonshme dhe e papërshkrueshme që ne si alpinistë kosovarë kemi arritur ta dërgojmë atje flamurin e Kosovës, pasi në komunitetin tonë është obligim që ta vendosim flamurin e shtetit në majat më të larta”, ka theksuar Hasanramaj.

Ai tutje ka thënë se klubi alpin ‘Prishtina’ e ka një mision që ta promovojë sa më shumë natyrën, turizmin dhe etnokulturën. Sipas tij ka interesim të madh të qytetarëve për t’iu bashkuar klubit, duke e pasur parasysh traditën, sigurinë dhe sukseset e klubit. Hasanramaj ka thënë se tashmë ka filluar të promovohet shumë bjeshkataria si sport, apo si formë e jetesës.

Po ashtu ai ka thënë se tash ka interesim të madh nga prindërit të cilët janë të interesuar që t’i heqin fëmijët nga pajisjet teknologjike dhe t’i aktivizojnë në aktivitetet në natyrë.

Sipas Hasanramajt për momentin problemet e vetme të klubit janë pajisjet e terrenit, të cilat për buxhetin e tyre janë paksa të papërballueshme. Ai me këtë rast ka kërkuar përkrahje nga institucionet, pasi pajisjet e tilla mundësojnë mbajtjen më të shpeshtë të kampeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme