Blert Morinës s’i lejohet ndërrimi i emrit, kërkohet respektim i së drejtës në identitet gjinor

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 12:31 | Nga Besiana Dauti

Është mbajtur një tubim publik për të kërkuar nga institucionet shtetërore t’i përfillin obligimet pozitive të shtetit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ta zbatojnë praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç kërkohet nga neni 53 i Kushtetutës së Kosovës.

Lendi Mustafa, organizatori i këtij tubimi, tha se ky tubim ka për qëllim t’ua bëjë me dije institucioneve që t’i respektojnë dhe ta garantojnë të drejtën e identitetit gjinor.

Sipas Mustafës, kjo nuk ka ndodhur në rastin e Blert Morinës, i cili kishte kërkuar t’i pranohej kërkesa për ndërrimin e emrit dhe të shënuesit gjinor, por agjencia për regjistrim civil kishte refuzuar, raporton Ekonomia Online.

“Blert Morina ka paraqitur kërkesën për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë në dokumentet e identifikimit në mënyrë që ato të reflektojnë identitetin gjinor. Zyra e gjendjes civile në Gjakovë dhe Agjencia për Regjistrim Civil kanë refuzuar këtë kërkesë, duke shkelur të drejtën e Blertit në privatësi dhe obligimet për mbrojtje të të drejtave të njeriut që dalin nga Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, tha Mustafa.

Mustafa ka deklaruar se të pranishmit e përkrahin kërkesën e Blert Morinës për njohjen e identitetin gjinor në dokumentet e identifikimit, raporton EO.

“Përmes kësaj deklarate e përkrahim fuqimisht kërkesën e Blert Morinës për njohjen e identitetit gjinor në dokumentet e identifikimit dhe njëherësh e mbështesim kërkesën e tij të deponuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së vendimit të Agjencisë për Regjistrim Civil me të cilën është refuzuar kërkesa e tij për ndërrim të emrit dhe shënuesit të gjinisë”, tha ai.

“Mosnjohja e identitetit gjinor nga shteti i Kosovës paraqet shkelje të të drejtave fundamentale, përkatësisht të të drejtës në privatësi, të drejtës në jetë të dinjitetshme, dhe dështon të ofrojë mbrojtje nga diskriminimi për personat transgjinorë”, shtoi ai.

“Kërkojmë nga institucionet shtetërore t’i përfillin obligimet pozitive të shtetit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ta zbatojnë praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut”.

“Tani më shumë se kurrë është koha që institucionet tona dhe shoqëria të angazhohen të ofrojnë mbrojtje dhe respektim të të drejtave të komunitetit transgjinor”, tha në fund Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme