Bordi i RTK-së nuk e pranon dorëheqjen e Ilir Bytyçit: Duhet të kishte njoftuar tre muaj më herët

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Bashota thotë se anëtarët e Bordit mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Bordin të paktën tre (3) muaj përpara.

Ka dhënë dorëheqje anëtari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Ilir Bytyçi.

Në letrën e dorëheqjes, që ka siguruar Telegrafi, Bytyçi ka shkruar se dorëheqje ka dhënë në shenjë pakënaqësie dhe pamundësie për të bërë ndryshime në Bord dhe Menaxhment si dhe me gjithë situatën e krijuar në RTK.

Ndaj kësaj letre ka reaguar Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota.

Bashota nuk e ka pranuar dorëheqjen e Bytyçit me arsyetimin se anëtarët e Bordit mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Bordin të paktën tre (3) muaj përpara.

“Sipas Ligjit të RTK-së, neni 28, pika 4, ku parashihet shkarkimi dhe dorëheqja e anëtarit të Bordit, thuhet në mënyrë të qartë: “Anëtarët e Bordit mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Bordin të paktën tre (3) muaj përpara””.

Bashota thotë se në këtë fazë dorëheqja e anëtarit të Bordit të RTK-së, është në kundërshtim me ligjin dhe si e tillë është e papranueshme.

Të ngjashme