Bordi i KPM-së i zgjedhur jashtë rregullave që i përcakton Ligji

Prishtinë | 11 Qer 2018 | 09:21 | Nga

Edhe një anëtar ka mbetur të zgjidhet deri në kompletimin e Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ky komision e ka tejkaluar kuotën gjinore, ku prej gjashtë anëtarëve sa ka, 4 janë gra, por ende nuk është përmbushur kriteri etnik, e as ai profesional.

Kështu që, bazuar në ligjin në fuqi për KPM-në, Kuvendi do të jetë i kufizuar në përzgjedhjen e anëtarit të ri, raporton KTV.

Ai duhet të jetë jurist i diplomuar dhe njëkohësisht t’i përfaqësojë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi aty përcaktohet se së paku dy anëtarë të KPM-së emërohen nga radhët e komuniteteve joshqiptare dhe së paku dy anëtarë duhet të jenë gra.

Të paktën, dy anëtarë të KPM-së duhet të kenë kualifikime profesionale në fushën e financimit, menaxhimit biznesor dhe të drejtësisë.

Nga gjashtë anëtarë, që ka aktualisht Komisioni, vetëm njëri nga ta është i diplomuar në fushën e ekonomisë.

Ish-gazetarja e BBC-së, Violeta Kelmendi Hyseni, e cila është e diplomuar në departamentin e Bankave dhe Financave në Universitetin e Prishtinës, u zgjodh në prillin e këtij viti në mandat 4-vjeçar.

Anëtari me i ri, Muja Ferati, bazuar në biografinë që e ka dorëzuar në KPM, është i diplomuar në Fakultetin Elektroteknik, ka punuar mësues dhe një kohë të gjatë kishte punuar edhe në Qendrën Informative të Kosovës, kurse për dy vjet do të jetë pjesë e KPM-së.

Anita Muriqi është anëtarja tjetër e Komisionit, mandati i saj është 2-vjeçar dhe ka diplomuar në Fakultetin e Arteve, në degën Aktrim- Dramë dhe Film dhe gjatë gjithë kësaj kohe është marrë me art.

Maja Slaviq është anëtare e KPM-së nga radhët e komunitetit serb, ajo ka punuar në komunën e Shtërpcës, ndërsa është e diplomuar në Fakultetin Teknik në Mitrovicë, mandati i saj është 3 vjet.

Po kaq mandat do të ketë edhe anëtarja tjetër e KPM-së, Vlora Berisha, e cila ka përfunduar Fakultetin Filologjik, ndërkaq ka të përfunduar edhe studimet master për Komunikim.

Aktualisht është profesoreshë e Shkrimit Akademik dhe Komunikimit Masiv në një kolegj privat dhe punon po ashtu në Agjencinë e Kosovës për Avokim dhe Zhvillim.

Anëtari më i vjetër i KPM-së është Xhemajl Krasniqi, i cili punon në KPM që nga viti 2012. Mandatin e dytë 4-vjeçar e mori në nëntorin e 2016-ës. Ai është i diplomuar në Fakultetin Elektroteknik dhe për disa vite ka punuar në TV Prishtina, si udhëheqës i operativës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme