Botimi problematik për Masakrën e Reçakut, Instituti i Historisë distancohet nga Frashër Demaj

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Historisë “Ali Hadri” përmes një komunikate për media ka deklaruar se nuk ka dërguar tre historianët Frashër Demaj, Jusuf Bajraktari e Fehmi Rexhepi të apostrofuar në lidhje me tekstet alternative të historisë së popujve të Ballkanit.

“Instituti i Historisë-Prishtinë, këto ditë po ndjekë me shqetësim debatin e fundit në mediume të ndryshme, lidhur me botimin e teksteve të përbashkëta alternative të historisë së popujve të Ballkanit, projekt në të cilin ishin të përfshirë edhe tre studiues nga Kosova. Në këtë debat, i cili po shoqërohet me akuza e kundërakuza, e shohim të arsyeshme të sqarojmë për opinionin e gjerë se asnjëri prej tre historianëve të apostrofuar (Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi dhe Frashër Demaj) nuk është dërguar nga Instituti”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Instituti i Historisë në këtë komunikatë distancohet nga përmbajtja e këtyre teksteve dhe kanë kërkuar nga ASHAK’u dhe Ministria e Arsimit që të kenë qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.

“Sa i përket përmbajtjes së teksteve, Instituti i Historisë nuk pajtohet me përmbajtjen e tyre. Në këtë kontekst, kërkojmë nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, e në veçanti nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të kemi një qëndrim të përbashkët”, thuhet tutje në komunikatë.

Të ngjashme