Braathu: Kosova është vend i vogël për të pasur këtë numër të madh të dhunës në familje

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 13:35 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, kanë mbajtur tryezë diskutimi mbi “Rolin e Medieve në Raportimin e Dhunës në Familje”.

Aty u diskutua për rolin e medieve dhe gazetarëve në lidhje me raportimin e dhunës në familje, ndikimit të cilin e kanë përmes raportimit dhe informimit në sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe organeve të zbatimit të ligjit në luftimin dhe parandalimin e kësaj dukurie.

Gentiana Begolli, Kryetare e AGK-së tha se OSBE-ja ka qenë gjithmonë kontribuuese përkrahë medieve, për të ndihmuar në raportimin e dhunës në familje.

” Një ndër fushat ku OSBE-së ka qenë gjithmonë kontribuuese dhe përkrahëse e pazëvendësueshme është edhe zhvillimi i medieve të lira dhe lirisë së të shprehurit, si dhe promovimi i të drejtave dhe i barazisë gjinore në përgjithësi, e me theks të veçantë angazhimin dhe luftimin e dhunës në familje. Si rezultat i kësaj pune dhe kontributi shumë të rëndësishëm për në po e mbajmë sot edhe këtë punëtori fokus i së cilës është roli i medieve në raportimin e dhunës në familje”, tha Begolli, raporton Ekonomia Online.

Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se statistikat e dhunës në familje në Kosovë janë mjaftë shqetësuese.

Sipas Braathu, Kosova është një vend i vogël për të pasur një numër kaq të madh të dhunës.

“Të gjithë ne kemi përgjegjësi për të luftuar këtë të keqe sociale, për të punuar kundër këtij fenomeni që është pjesë e shoqërisë patriarkale, tradicionale, dhe do thoja se kjo nuk është  tipike vetëm për Kosovën por edhe në shtetin tim në Norvegji kemi kaluar në këtë fazë. Është një gjë që e kanë të gjitha shoqëritë evropiane dhe të gjitha do ishin dashur ta trajtojnë atë. Statistikat janë mjaftë shqetësuese, dhjtë vitet e fundit janë vrarë 34 gra nga dhuna në familje”, tha Braathu.

E si shembull të dhunës në familje, ambasadori Braathu e përmendi rastin e vrasjes së Valbona Ndrecaj, nga Gjakova e cila më 7 gusht të këtij viti u vra nga bashkëshorti i saj Pjetër Ndrecaj, i cili për këtë rast u dënua me 24 vite burgim.

“Këtë vit kam shfrytëzuar mundësinë ti kujtoj disa ngjarje tragjike nga vrasja e Valbona Ndrecaj dhe vajzës së saj, derisa është inkurajuese që po shohim që burri i saj tani është dënuar me 24 vjet burg, dhuna në familje trajtohet në mënyrë të butë në gjykatat e Kosovës dhe kemi arsye për tu brengosur. Kemi parë shumë shpesh që viktimat inkurajohen që ti zgjidhin problemet brenda familjes, kjo nuk është një qasje efikase dhe nuk e mbron viktimën”, tha ai.

“Për këto raste kemi mësuar nga mediet, sikur ju mos të kishit raportuar nuk do ishin raportuar fare, ndoshta OSBE-ja do ta dinte por njerëzit në Kosovë duhet ta dinë dhe duhet të reagojnë prandaj kanë një rol shumë të rëndësishëm, prandaj ne në OSBE duam të ju mbështesim ju për të raportuar në këto raste mjaft të vështira. 1128 raste janë raportuar në Policinë e Kosovës për dhunë, është një numër i madh për një vend kaq të vogël”, tha ai, raporton EO.

Kaltrina Rexhepi Dragusha, gazetare nga televizioni publik RTK, tha se rastet e dhunës janë më shumë të fokusuara në zonat rurale, ku sipas Rexhepit, shpesh edhe nuk raportohen.

Madje fajin për mos zgjidhje të problemit Rexhepi i’a hedh Policisë së Kosovës.

“Si gazetarë ajo që na bie më së shumti të shohim është dhuna në familje në zonat rurale, rastet tragjike që këtë vit i kemi 7, shumica prej tyre janë në zonat rurale që asnjëherë nuk e kanë paraqitur dhunën në familje. Gjatë temave shumica kanë pas këtë qasje, policia ka lënë familjet të i zgjidhin problemet brenda familjes, brenda rrethit dhe mos të dalin me idenë që mos të prishet familja, por pasojat që kanë dalë në bazë të kësaj janë kur fëmijët kanë pësuar pasoja psikike”, tha ajo.

 

 

Të ngjashme