Braathu në promovimin e historikut të PZAP-së: Është institucion që ofron besueshmëri në zgjedhje

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 11:14 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është promovuar historiku i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për periudhën 2000-2017, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku, tha se dokumenti që përmban historikun e PZAP-së për 17 vjet paraqet veprimtarinë e këtij profesioni në të cilin kanë kontribuuar të gjithë.

“Ky dokument paraqet të gjithë veprimtarinë e këtij profesioni në të cilën kanë kontribuuar të gjithë dhe kanë dhënë mundin e tyre që sot të funksionojë. Nga komunikimi që kemi me stafin e ekipit të zgjedhjeve kemi një bashkëpunim të madh dhe ky bashkëpunim është i gatishmërisë për ta ndihmuar shtetin”, tha Desku.

Kryesuesja e PZAP-së, Gyltene Sylejmani, tha se që nga themelimi PZAP-në e kanë përcjell sfida të shumta.

” PZAP-ja në shtetin e Kosovës e ka zanafillën e vet jo shumë larg në kohë. Zgjedhjet në Kosovë janë duke u bërë më të diskutueshme. Që nga viti 2000 e deri në shpalljen e pavarësisë në Kosovë janë organizuar disa zgjedhje. PZAP-ja është organ i pavarur dhe i përhershëm që vendos për ankesat në zgjedhjet e Kosovës. Përveç rezultateve në shqyrtimin e ankesave ky institucion ka pasur shumë sfida. PZAP-ja për çdo lloj ankese ka vetëm 72 orë dhe të marr informata shtesë për të shqyrtuar gjithë materialin. Sfiduese për PZAP  janë ende ankesat. Po ashtu sfidë kanë edhe ankesat të cilat kanë të bëjnë me veprat penale, keqpërdorimi i votës dhe keqpërdorimi i votuesve. Me kapacitet që i kemi i hetojmë rastet”, tha ajo.

PZAP-i ka pasur kërkesa të shumta për rritjen e transparencës dhe sipas Sylejmanit në këtë drejtim është punuar shumë dhe të gjithë mund të njoftohen përmes faqes.

Ambasadori i OSBE-së, Jan Braathu, tha që PZAP-ja është një institucion që ofron besueshmëri në procesin zgjedhor.

“Dua të fillojë me bashkëpunimin e ngushtë që OSBE-ja ka me PZAP-në. PZAP-ja është një institucion  i rëndësishëm për të siguruar besueshmëri dhe që ofron besueshmëri procesit zgjedhor në vend. Dua të falënderoj prokurorët, gjyqtarët, policinë e Kosovës të cilën janë një faktorë i rëndësishëm për ruajtjen e besueshmërisë së procesit zgjedhor. Nëse e krahasojmë me proceset zgjedhore, Kosova prinë për një proces të rregullt. Kemi pasur 20 vjet mes OSBE-së dhe institucioneve të Kosovës dhe ne jemi krenar”, tha Braathu.

Sipas tij, mandati i OSBE-së është fuqizimi i institucioneve të Kosovës.

“Mandati ynë është që të ndërtojmë dhe të fuqizojmë institucionet e Kosovës. Kur shohim se institucionet po bëhen të forta, kjo na bënë që kolegët kanë bërë punën e tyre. Ky historik që po e lansojmë është një dokumentim i suksesit të PZAP-së dhe është një përpilim i statistikave të të dhënave. PZAP-ja ka arritur të administrojë mbi mijëra ankesa në afate tejet të shkurtra ligjore. Misioni i OSBE-së ka afruar resurse të vazhdueshme. PZAP-ja krahasohet shumë mirë edhe me pjesë të tjera të Evropës sepse ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë procesit zgjedhor në Kosovë”.

“OSBE-ja është duke shqyrtuar mundësinë për të mbështetur Kosovën në implementimin e këtyre shqyrtimeve. 35 rekomandime janë gjithsej dhe asnjë deri tani nuk është adresuar siç duhet nga Kosova”, tha Baathru, raporton EO.

Anëtari i PZAP-it, Adnan Konushevci, ka treguar me shifra rastet që janë shqyrtuar ndër vite derisa tha se PZAP-ja për një ankesë zhvillon të gjitha hetimet dhe bënë hetime për raste konkrete.

“Për të gjitha proceset zgjedhore nga viti 2000/2017 kemi të ndarë të gjitha ankesat se për çfarë janë bërë dhe për çfarë janë refuzuar dhe sa ankesa ka bërë secili subjekt politik. PZAP-ja për të vendosur për një ankesë zhvillon të gjitha hetimet dhe bënë hetime për raste konkrete. PZAP-ja ka shqyrtuar 5681 raste për votim brenda vendit. Nga viti 2008  ka arritur t’i shqyrtojë të gjitha ankesat. Në vitin 2009 ka shqyrtuar 544 raste, në vitin 2010 ka shqyrtuar 454 raste dhe në vitin e 2012 në zgjedhjet e parakohshme ka shqyrtuar 120 raste, në vitin 2013 janë shqyrtuar 1109 raste dhe në vitin 2014 u shqyrtuan 341 raste”, ka thënë Konushevci, raporton EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme