Breshri shkakton dëme bujqësisë në disa lokalitete të Podujevës

Podujevë | 26 Qer 2018 | 10:16 | Nga

Janë dëmtuar shumë bujq nga reshjet të përcjella me breshër këto ditë qershori.

Zyrtarët komunalë thonë se dëmet janë shkaktuar kryesisht në misër, pemë dhe perime.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nzmi Elezi, thotë se Komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve në bujqësi ende është duke i mbledhur të dhënat në terren, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Reshjet e fundit të shiut, të përcjella me breshër, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi në disa lokalitete të Komunës së Podujevës. Fshatrat më të prekura nga dëmet janë: Gllamniku, Sekiraça, Letanci, Llapashtica dhe disa fshatra të tjerë. Janë dëmtuar kulturat bujqësore kryesisht në perimtari dhe pemët e imta. Komisioni komunal për Vlerësimin e dëmeve ende është në teren në grumbullimin e të dhënave për dëmet që janë shkaktuar”, ka theksuar Elezi.

Megjithatë, pak shpresa ka se dikush do t’u dalë në ndihmë fermerëve të dëmtuar. Komuna e Podujevës nuk ka fonde për këso rastesh, ndërsa në raportin me të dhëna do t’ia dërgojë Qeverisë së Kosovës.

“Sapo të grumbullohen të dhënat nga terreni, Komuna do të dalë me një raport dhe atë do t’ua përcjell institucioneve qendrore – Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Elezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme