Breshri shkakton dëme në bujqësi në disa fshatra të Istogut

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 09:55 | Nga

Një rrebesh shiu i përcjellë më një breshër ka shkaktuar në orët e mbrëmjes të së hënës në disa fshatra të Komunës së Istogut, dëme të konsiderueshme në plantacionet e pemëve dhe fushat e mbjella me kulturat bujqësore.

Më të prekurat nga ky breshër ka qenë fshati Veriq, një pjesë e fshatit Kovragë, Llukavci i Thatë. Enver Rugova, drejtor për Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, ka treguar për KD-në se breshri ka rënë edhe në fshatrat Surigan dhe Cerkolez, por sipas tij jo në masë si në ato fshatrat e tjera në pjesën jugore të Istogut, shkruan sot “Koha Ditore”.

Nga rrebeshi i shiut shumë fusha bujqësore janë vërshuar edhe nga uji. Siç thotë drejtori Rugova, do të shikohet të intervenohet në hapjen e kanaleve për kullimin e ujit nga tokat bujqësore, sidomos nga sipërfaqet e mbjella me grurë.

Të martën kanë qenë në terren ekipet e Drejtorisë për Shërbimeve Publike dhe Mbrojtje e Shpëtim, si edhe të Drejtorisë së Bujqësisë për t’i identifikuar dëmet. Drejtori i Bujqësisë, Lulzim Shoshi, tregoi se në fshatin Kovragë dëmet kanë qenë më të vogla, përderisa dëme më të mëdha janë evidentuar në fshatin Veriq, ku në një pjesë të fshatit janë dëmtuar plantacionet e mollëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme