Brovina: Fotografinë ma dha një zyrtar i KMDLNj-së më 2003, nuk më kujtohet emri

Prishtinë | 17 Maj 2019 | 14:20 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka dalë në konferencë për medie pas intervistimit gati tre orësh në Prokurorinë Speciale, raporton Ekonomia Online.

Brovina e ka pranuar se fotografia e prezantuar dje që flet për dhunimin e një femre që pretendohet se u bë nga forcat serbe ka qenë e falsifikuar derisa ka kërkuar falje ndaj të gjithëve.

Sipas saj, fotografinë e ka që nga viti 2003, kur ishte kryetare e Komisionit për Persona të Pagjetur dhe atë ia ka dhënë një zyrtar i KMDLNJ-së. Ajo tha se nuk i kujtohet emrin.

“Fotografia me gjasë është e falsifikuar. Ju kërkoj falje të gjithëve, sidomos grave të dhunuara. Mua ma kanë dorëzuar foton diku në vitin 2003 në një zarf. Nuk më ka shku mendja me verifiku sepse e kam nga 2003. Personi që ma ka dhënë është aktivist për të drejtat e njeriut, ndërsa nënkryetarja e Komisionit ka qenë Mevlyde Saraçi që kemi punuar shumë bashkë. Këtë rast ajo ma ka sjellur zarfin dhe më ka thënë që kjo grua është 35 vjeçare, dhe e di rastin”, tha ajo.

“…E kam marrë nga një asociacion, pra Këshilli i Drejtave të Njeriut. Një aktivist ma ka dorëzua dokumentin në zarf dhe e dokumentonte se mund ta përdori dhe se personi është gjallë, dëshmitare ka qenë edhe nënkryetarja e komisionit për personat e zhdukur. Unë kurrë s’kam menduar se dikush mund të më sjellë dokumente që nuk janë të verifikuara dhe të sakta. Shumica e dhunimeve në Kosovë kanë pasur situata të ngjashme, prandaj nuk kam besuar që ky dokument nuk është i saktë” u shpreh Brovina.

Ajo theksoi se personi që ia kishte dorëzuar këtë fotografi i kishte thënë se ngjarja ka ndodhur diku në Dukagjin.

Ajo ka thënë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, nuk ka qenë në dijeni për këtë rast.

“Unë kam shumë dokumente për të dëshmuar gjenocidin. Në prokurori jam në cilësinë e dëshmitares”, tha ajo.

Kur është pyetur se a do të jepte dorëheqje nëse i kërkohet ajo tha “jam e gatshme për gjithçka në të mirë të shtetit”.

Të ngjashme