BSPK: Protesta s’ka të bëjë fare me Kurtin, do të protestonim edhe po të mos ishte ai kryeministër

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), sot gjatë ditës, ka mbajtur protestë, ku i ka paraqitur Qeverisë së Kosovës gjashtë kërkesa.

Kryetari i Këshillit Drejtues të BSPK-së, Ali Gashi, ka thënë se protestën e sotme e kanë cilësuar si ‘paralajmëruese’ dhe ka pasur numër të kufizuar të sindikalistëve pjesëmarrës, duke shtuar se i kanë dhënë mundësi ekzekutivit që t’i diskutojnë së bashku krejt kërkesat e tyre.

“BSPK-ja si sponsorizuese e kësaj proteste, i ka ftuar të gjitha federatat, të cilat janë në kuadër të saj dhe të gjitha federatat kanë marrë pjesë me numër të kufizuar, pasi që ka qenë vendim i përbashkët. Presioni dhe kërkesa e anëtarësisë ka qenë jashtëzakonisht shumë e madhe, por është praktikë dhe kulturë sindikaliste që vendimet që merren në kryesinë e BSPK-së të respektohen. Kjo është edhe arsyeja që e kemi quajtur protestë paralajmëruese, duke i dhënë mundësi qeverisë për një reflektim dhe për të na dhënë mundësi që të ulemi dhe t’i bisedojmë të gjitha kërkesat të cilat, thënë të vërtetën, janë të kamotshme”.

Gashi në Klan Kosova, ka thënë se kjo protestë nuk ka karakter politik dhe nuk ka të bëjë me kryeministrin Albin Kurti. Madje, ai tha se do të protestonin njëjtë pa marrë parasysh kush do të ishte kryeministër.

“Qeveria e Kosovës është institucion dhe s’ka fare rëndësi se kush e udhëheq atë institucion. Nuk ka të bëjë fare me kryeministrin Albin Kurti e as me emrin e përveçëm. Që prej pas luftës e këndej sindikatat kanë reaguar me protesta dhe greva që kanë qenë deri në tri javë. Tendenca për t’i dhënë karakter politik apo për t’i prezantuar se këto protesta janë drejtuar kundër kryeministrit Albin Kurti nuk qëndrojnë dhe këtë e them me përgjegjësi, pasi ne jemi dhe kërkojmë nga qeveria dhe kryeministri që të ulemi dhe të bisedojmë. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, është zbatues i legjislacionit dhe ka plotësisht të drejtë të ulet dhe të bëjë zgjidhje, të cilat do të ishin të pranueshme për palët. Nuk ka fare rëndësi a është apo jo Albin Kurti, sepse edhe po të mos ishte Albin Kurti, ju siguroj që kjo protestë do të ndodhte, në rast se do të vinte te një injorim siç është tani”.

Të ngjashme