BSPK: Protestë për 1 maj, punëtorët s’kanë siguri në punë

Prishtinë | 30 Pri 2018 | 10:41 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka mbajtur një konferencë për medie për të njoftuar se të martën, më 1 maj do të protestojnë për të drejtat e punëtorëve.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini tha se është vendosur që për 1 maj ditën e punëtorëve të mos manifestojnë por të protestojnë me moton “Qeveri BOLL MO. Zbato ligjin!” dhe kanë ftuar të gjithë punëtorët të dalin në sheshin Zahir Pajaziti prej orës 11 do të zhvillohet protesta deri te Teatri Kombëtar i Prishtinës, raporton EkonomiaOnline.

“Te ne ka shkelje drastike për të drejtat e punës që nuk i respektojnë punëdhënsit dhe as në kontratën individuale, sepse në kontratë shkruhet që punëtori punon 8 orë, por në praktikë punon 12 orë dhe nesër të gjithë duhet të dalim të tërheqim vërejtjen qeveritarëve që punëdhënësit nuk janë duke punuar në këtë drejtim”.

Ajdini tha se në Kosovë nuk ka siguri të punëtorit në vendin e punës dhe ka shumë raste të cilat kanë përfunduar me fatalitet dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Këto janë arsyet e protestës që do të mbahet më 1 maj.

Ai shtoi se protesta është me karakter social ekonomik dhe aspak nuk ka ngjyrim politik.

“Zbatimi i ligjeve dhe kontratës kolektive, siguria dhe shëndeti në punë, të njihet përvoja e punës për vitet 1990-1999 dhe sigurimi shëndetësor”, tha Ajdini duke përmendur kërkesat kryesore në protestën e nesërme, raporton EO.

“Premtimet që iu kanë dhënë BSPK-së, asnjë premtim nuk është kryer deri më tani. Paga minimale që këshilli social ka vendosur është 250 euro, të gjithë jemi pajtuar, por kjo nuk është duke u zbatuar dhe kjo te ne është me rëndësi që nuk po vihet nga qeveritarët tanë pika se kur duhet të zbatohet dhe për këtë arsye ne jemi neser në protestë që të zbatohet ligji”, tha Ajdini.

Ajdini shtoi se ligji i Kosovës është shumë i mirë, por zbatimi nuk bëhet dhe për këtë puntorët nuk janë fajtorë, por punëdhënësit.

Kjo protestë, sipas udhëheqësve të BSPK-së, do të bëhet për t’ua tërhequr vërejtjen qeveritarëve se nuk janë duke bërë sa duhet për të drejtat e punëtorëve.

 

 

Të ngjashme