Burri nga Prizreni akuzon hoxhën: Më mashtroi, pagova 600 euro për një ilaç për t’u bërë prind

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Në Kosovë ka njerëz të shumtë që e ushtrojnë mjekësinë popullore, përmes së cilës thonë se i ndihmojnë ata që kanë nevojë për ndihmën e tyre. Shumë raste të tilla kanë përfunduar me mashtrim, ku këta njerëz kanë përfituar nga hallet e qytetarëve. Në fshatin Hoqa e Qytetit në Prizren, gjendet një hoxhë i cili pretendon se ndihmon shumë ҫifte për të pasur fëmijë, e një ҫift që kanë vizituar këtë hoxhë po e akuzojnë atë për mashtrim.

Dëshira e shumë çifteve për të pasur fëmijë shpesh i shtynë ata që të drejtohen edhe tek njerëz tjerë përveç mjekëve. I njëjtë është edhe rasti i S.C i cili bashkë me gruan e tij kanë trokitur në derën e hoxhës Irfan nga fshati Hoqa e Qytetit në Prizren, i cili thotë se me ilaçet që i përgatitë vetë bën të mundur që shumë qifte të bëhen me fëmijë.

Por, S.C po e akuzon këtë hoxhë se i mashtroi dhe nuk patën asnjë efekt nga ilaçi i tij i cili i kushtoi 600 euro.

“Para dy muajve isha në një fshat afër Prizrenit, tek hoxha Irfan. Gjoja ai po marojka ilaçe për ata persona që nuk kanë fëmijë, shkova sepse isha i interesuar pasi qe 8 vite martesë nuk kemi ende fëmijë”.

Ndërkaq ai tregon se deri tek hoxha ka shkuar me dyshime, pasi thotë se nuk ka shumë besim në këto gjëra, madje këtë pohon të ia ketë thënë edhe vetë hoxhës, i cili i kishte garantuar se do të ketë rezultat 100 për qind.

“E kur shkova aty, hoxha tha që e përgatitë atë ilaҫ edhe askujt nuk ia jep atë recetë. Pasi i thash qe 8 vite po bëhen martesë edhe ende s’kam fëmijë e kam ardhur për këtë punë, megjithëse nuk u besoj shumë këtyre gjërave dhe nuk po ma mbush mendjen që kam me pasë sukses me këtë ilaçin tënd. Më tha të garantoj 100 për qind qe ki me u bë me fëmijë, si ta përdorësh këtë ilaҫ, brenda dy muajve terapi do ta shohësh suksesin. Edhe më në fund mi mori 600 euro për atë ilaç”, thotë S.C.

Express ka kontaktuar edhe me hoxhën Irfan, i cili ka thënë se pretendimet e S.C nuk janë të vërteta dhe se ai nuk e mashtron askënd.

“Jo jo unë nuk e mashtroj kërkon, lej ato, pallavra janë ato që po thu”, ka thënë shkurtë hoxha i cili nuk është përgjigjur në pyetjen se a është e vërtetë që e përgatitë një ilaç të tillë.

S.C ka thënë se ka dashur që këtë rast ta denoncojë edhe në polici, por familjarët e tij nuk e kanë lënë ta bëjë këtë.

E të tilla raste në vendin tonë ka pasur dhe po vazhdon të ketë ende, ku njerëz që pretendojnë se mund t’i ndihmojnë të tjerët, po e ushtrojnë profesionin e mjekëve popullor përkundër se me ligj nuk është e lejuar një gjë e tillë, pasi në Kosovë nuk ka ligj të tillë që ua lejon ushtrimin e detyrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme