Burrin e akuzuar për rrahje të gruas Gjykata e dënon me 170 orë punë në dobi të përgjithshme

Prishtinë | 09 Nën 2021 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Burri me inicialet K.H. nga një fshat i Vushtrrisë është gjetur fajtor nga Gjykata e Vushtrrisë për lëndimin trupor që ia ka shkaktuar gruas së tij H.H.

K.H. u dënua nga kjo Gjykatë me 6 muaj burgim, dënim i cili u zëvendësua me 170 orë punë në dobi të përgjithshme, nga 2 orë punë në ditë.

Sipas aktakuzës, më 5 prill të vitit të kaluar rreth orës 21:40 në fshatin D., i akuzuari K.H. kishte pasur grindje dhe mosmarrëveshje me gruan e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës arsye e grindjes ishte tradhtia e të akuzuarit ndaj gruas së tij tani të dëmtuar H.H.

Aktakuza thotë se të nesërmën, më 6 prill, i akuzuari pa kurrfarë arsye kishte filluar ta godiste të dëmtuarën në kokë dhe trup. Ajo më pas e ka lajmëruar Policinë, pjesëtarët e të cilës e kanë dërguar në Spitalin e Vushtrrisë.

Në seancën e datës 1 nëntor 2021, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë dhe ishte deklaruar fajtor.

E me pranimin e fajësisë së tij janë pajtuar prokurorja e rastit, Natasha Taniq, gjykatësi i rastit Ferki Xhaferi si dhe vetë e dëmtuara.

Gjykatësi i rastit në arsyetimin e këtij aktgjykimi ka vlerësuar katër rrethana lehtësuese, si pranimin e fajësisë, faktin se i akuzuari është mbajtës i familjes, ka pasur sjellje korrekte me Gjykatën dhe ka shprehur keqardhje për veprën penale të kryer.

Ndërsa si rrethana rënduese ka gjetur faktin që i akuzuari ka qenë edhe më parë i dënuar për vepra penale, veprën penale e ka kryer ndaj anëtarit të familjes, pasojat që i ka shkaktuar me veprën penale, ndarjen e bashkëshortes dhe lënien e dy fëmijëve dhe dashjen gjatë kryerjes së veprës penale.

Sipas Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore pikënisje për matjen e dënimit të veprave penale që dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 3 vjet është 1 vit e 6 muaj.

Po ashtu Udhëzuesi në shtojcën 2 pikën (f) parasheh që në rastet kur ka rrethanë rënduese më shumë sesa rrethana lehtësuese maksimumi i dënimit është 2 vjet burgim.

Sipas Udhëzuesit dhe Kodit Penal për veprat penale të dënueshme me më pak se një vit dënimi mund të zbutet 30 ditë.

Për veprat penale të dënueshme prej 6 muaj deri në 3 vjet është i përshtatshëm dënimi me kusht por jo edhe urdhër për punë në dobi të përgjithshme.

Të ngjashme