Buxhetit të Prishtinës iu shtuan 20 mijë euro nga gjobat e shqiptuara gjatë fushatës, tri parti politike ende nuk i kanë paguar

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, gjatë fushatës parazgjedhore ka shqiptuar gjoba për të gjitha ato subjekte të cilat nuk kanë zbatuar masat antiCOVID-19 gjatë organizimit të tubimeve.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjithsejtë janë shqiptuar 20 gjoba, ku deri më tash janë paguar vetëm 10 prej tyre.

“Janë shqiptuar gjithsejtë 20 gjoba. Lëvizja Vetëvendosje ka 7 gjoba, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 5, Partia Demokratike e Kosovës ka 3, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 3, Nisma Socialdemokrate ka 1 dhe Aleanca Kosova e Re 1. Deri më tash janë paguar 10 gjoba prej 20 sa janë shqiptuar në total”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka treguar se subjektet që kanë paguar gjobën janë LVV-ja, PDK-ja dhe AKR-ja.

“LVV-ja ka paguar 6 nga 7 gjoba sa ka pasur gjithsejtë, PDK-ja i ka paguar 3 dhe AKR-ja 1. Njëra gjobë e papaguar nga LVV-ja është për shkak se ka mbërritur më vonë në subjekt, qoftë për shkak të postës qoftë për shkak të administratës dhe afati për pagesën e saj është shtyrë”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri ka shtuar se gjobat tjera janë bartur tek zyra ligjore për procedim të mëtutjeshëm tek përmbaruesi.

Ndryshe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, deri më tani nuk kanë kryer asnjë pagesë të gjobave të shqiptuara nga Drejtoria e Inspeksionit.

Kujtojmë se gjobat e shqiptuara kanë qenë në vlerë të 2 mijë eurove, ku sipas kësaj nga 20 gjobat e shqiptuara në total që janë paguar 10 prej tyre, buxhetit të Komunës së Prishtinës i janë shtuar 20 mijë euro.

Në Ligjin për Kundërvajtje në nenin 30 ku flitet për afatin e pagesës së gjobës, theksohet se afati më i shkurtër për pagesë është 15 ditë, kurse më i gjati 90 ditë.

“Në vendimin për kundërvajtje, me të cilin përcaktohet afati i pagimit të gjobës, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se pesëmbëdhjetë (15) ditë, dhe më i gjatë se nëntëdhjetë (90) ditë nga data e formës së prerë të vendimit, ndërsa në rastet e arsyeshme, varësisht nga lartësia e dënimit me gjobë dhe gjendja ekonomike e të pandehurit, organi i kundërvajtjes apo gjykata mund të përcaktojë që sanksioni kundërvajtës, i shqiptuar me gjobë të paguhet në këste, por që afati i pagesës nuk mund të jetë më i gjatë se gjashtë (6) muaj”, thuhet në Ligjin për Kundërvajtje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme