Bytyqi: Çdo libër që ka përmbushur standardin, do të botohet

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 14:02 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar para Komisionit për Arsim lidhur me tekstet e reja shkollore, raporton Ekonomia Online.

Ministri Bytyqi tha se Ligji i Ri për Tekstet Shkollore, mjetet mësimore, lekturës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik, nuk e ka penguar fare procesin e teksteve të reja.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm që kur e kemi filluar procesin e teksteve kemi pasë një vështirësi. Unë konsideroj që në momentin kur përfundon procesi i teksteve do hapen rrugë që ligji të miratohet. Ligji i ri nuk e ka penguar fare procesin e teksteve. Ekspertët kanë konstatuat që për rishikimin e dorëshkrimeve më së miri do ishte të bëhej një kampus i recensentëve. Të gjithë anëtarët e Kepsht-it janë zgjedhur sipas bazës ligjore. Çdo libër e cila e ka përmbush standardin asaj do i jepet e drejta për botim”, tha Bytyqi.

Deputetja Luljeta Veselaj- Gutaj nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se në vitin 2018 dhe në fillim të 2019-tes janë bërë shumë eksperimente me fëmijë dhe nxënës.

“Eksperimentet me fëmijë dhe nxënës janë tepruar, por të gjitha rrëmujat na sjellin konfuzitet që si kemi librat më të mirë. A janë shpallë rezultatet preliminare me rekomandim të këshilli apo pa vendimin e tyre?”, tha Veselaj-Gutaj.

Ndërsa deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku, pati pyetje për ministrin Bytyqi rreth përzgjedhjes së recensentëve.

“Pse recensentë janë zgjedhë anëtarët e Nismës Socialdemokrate”?

Ministri Bytyqi tha se përzgjedhjen nuk e ka bërë ai, por komisioni.

“Nuk i ka përzgjedhë ministri këta recensentë edhe pse ka pasë të drejtë, por kriteret i ka bërë komisioni. Madje ka më shumë recensentë të LDK-së se sa të Nismës. Ligji nuk e ndalon të cilësdo parti”, tha Bytqyi.

E aty deputeti Driton Çaushi pati dilema për lokacionin ku është bërë përzgjedhja e recensentëve.

“Për mu është pak problematike pse procesi i përzgjedhjes së recensentëve duhet me qenë në Shqipëri dhe pse përzgjedhja duhet me u bë në hotel”, tha ai.

Ndërsa zv. ministri i Arsimit, Agim Berdynaj pati një përgjigje për Çaushin.

“Pasi që atje kemi pasë kapacitete ma të mëdha dhe atje ka pak hierarki më të lartë”, tha ai, raporton EO.

Të ngjashme