Bytyqi për vrasjen e vëllezërve: Vuçiq e ka pranuar se e di kush janë kriminelët por nuk po bën asgjë

Prishtinë | 09 Kor 2019 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Ilir Bytyqi, vëllai i Agronit, Yllit dhe Mehmet Bytyqit që u torturuan dhe u vranë nga forcat serbe 20 vjet më parë, deklaroi se Serbia e di se kush janë kriminelët që kryen këto krime.

Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, ai tha se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e di se kush ia vrau vëllezërit por heziton ta sjellë para drejtësisë.

“Serbia e di tash e 20 vjet kush janë këta kriminelë të akuzuar për vrasjen e vëllezërve të mi e që gjithashtu kanë bërë krime tjera”.

“Ai kriminel është pjesë e ekipit të Presidentit Vuçiq. Ai është Goran Radosaljeviq. Ai akuzohet për krime lufte në Reçak, Prekaz dhe disa vende tjera nëpër Kosovë. Vuçiq i ka afruar këta kriminel në vend se t’i dorëzojë ata për t’u përballur me drejtësinë”.

Butyqi madje ka thënë se Vuçiq e ka pranuar se e di kush ia vrau vëllezërit.

“Vuçiq i ka dëgjuar kërkesat e familjes sonë dhe e di shumë mirë se nuk do të ndalemi. Në takim kur ishin me avokatin tim, ambasadorin serb, ambasadorin amerikan vetë ai ka treguar kush janë kriminelët që kanë kryer këtë krim”.

“Vuciq e ka pranuar se e di kush janë kriminelet por nuk po bën asgjë. Ai e di boll mire kush janë ata kriminele për atë arsye nuk do t’i dorëzojë për t’u përballur me drejtësinë”.

“Nuk e di për çfarë arsye. Ndoshta ndjehet i shantazhuar ngase secili ja din krimet tjetrit dhe bëjnë shantazhe ndërmjet njeri-tjetrit. Nëse Vuçiq nuk është i pastër si mundet të bëjë diçka për këtë çështje, jo vetëm për vëllezërit e mi por në të gjitha rastet e krimeve të luftës në Kosovë”.

Ilir Bytyqi tha se përgjegjësia për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe krimet e tjera të kryera në Kosove mbetet e shtetit të Serbisë.

Të ngjashme