Cakolli: “Fillimi i Ri”, Prishtinën do ta ngrisë në krye të komunave

Prishtinë | 25 Maj 2017 | 16:00 | Nga

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, javën e fundit ka intensifikuar takimet informuese me qytetarë, struktura lokale nga niveli i seksionit, nëndegës dhe degës.

Janë zhvilluar takime që kanë zgjuar interesimin e qytetarëve ngase, programi dhe platforma “Fillimi i Ri”, e promovuar nga kryetari Kadri Veseli, ka fuqizuar vizionin e anëtarëve të PDK-së, të qytetarëve pa orientim politik por edhe të anëtarëve të partive tjera që po aderojnë në PDK.

“Dega e PDK-së, në Prishtinë, ka objektiv të qartë, me përkushtimin maksimal synon të informoj qytetarin rreth ecurisë së procesit votues më 11 qershor si dhe impenjimin e interesit të qytetarit në programin e deputetëve të ardhshëm të PDK-së brenda platformës ‘Fillimi i Ri’”, theksoi Bujar Cakolli, drejtor i fushatës në Degën e Prishtinës.

Kryesia e Degës së PDK-së dhe Shtabi Zgjedhor në Prishtinë, ka zhvilluar dhe po zhvillon po ashtu takime dhe konsulta mbi baza ditore me anëtarët e Këshillit Drejtues, Kryesinë e Partisë, qytetarë pa përcaktim politik, ekspertë dhe grupe interesi si dhe me deputetët në largim dhe kandidatët për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pritjet e Cakollit janë objektive, sipas tij, Dega e Prishtinës e PDK-së është në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë. PDK do të marrë në Prishtinë më shumë vota se kurrë deri më tani dhe do të radhitet në degët me më së shumti vota në nivel nacional. Ky konstatim, thekson Cakolli, vjen nga interesimi i deritashëm i shfaqur për platformën “Fillimi i Ri”.

Në javën e fundit, janë zhvilluar mbi 80 takime informuese dhe pritet që takimet të intensifikohen edhe më tej në këtë degë, që sipas zgjedhjeve të fundit qendrore, PDK në Prishtinë mori 16.470 vota, apo e katërta komunë në nivel vendi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme