Caktohet masa e paraburgimit ndaj serbit për krime lufte në Fushë Kosovë

Prishtinë | 12 Dhj 2016 | 10:36 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj për të pandehurin S.B.

Arsye për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit S.B është se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.B dhe i bashkakuzuari I.R i cili është i dënuar si dhe persona tjerë si anëtarë të forcave paramilitare serbe, kanë marrë pjesë në rrahje dhe tortura të qytetarëve shqiptarë të mbledhur në një stacion të autobusëve në Fushë Kosovë, me datën 25 mars 1999

I pandehuri S.B është arrestuar me dt. 09.12.2016 dhe është ekstraduar nga Bosnja dhe Hercegovina.

Kjo është komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë –Departamenti për Krime të Rënda me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Krime lufte kundër popullates civile të paraparë dhe në kundërshtim me nenin 22 dhe 142 të Kodit të RSFJ që aktualisht është e dënueshme sipas neneve 23 dhe 120 të Kodit Penal të Kosovës, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një ( 1 ) muaji dhe atë duke filluar prej dt. 09.12.2016, deri me datën 09.01.2017.

I pandehuri S.B është arrestuar me dt. 09.12.2016 dhe është ekstraduar nga Bosnja dhe Hercegovina.

Arsye për caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit S.B është se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.B dhe i bashkë akuzuari I.R i cili është i dënuar si dhe persona tjerë si anëtarë të forcave paramilitare serbe, kanë marrë pjesë në rrahje dhe tortura të qytetarëve shqiptarë të mbledhur në një stacion të autobusëve në Fushë Kosovë, me datën 25 mars 1999.

Të pandehurit ishin të veshur me uniforma paramilitare dhe ishin të armatosur me pushkë automatike. Kishin ardhur në vend-ngjarje ku kishin rrethuar civilët, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ata I rrahën dhe torturuan burrat të cilët më vonë ishin gjetur në vendngjarje. Disa prej meshkujve që ishin rrahur u urdhëruan që të hipin në një veturë të blinduar dhe ishin dërguar në drejtim të panjohur.

Haki Bajrami i cili ishte ndarë nga grupi dhe ishte rrëmbyer.

Trupi i tij ishte gjetur në një varrezë masive në Dragodan dhe ishte identifikuar me dt.17.08.2000. Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit S.B sepse ekziston rreziku i lartë i arratisjes së të pandehurit S.B pasi që i njëjti i është shmangur drejtësisë dhe juridiksionit të Kosovës për katër vitet e fundit. Po ashtu duke marrë parasysh rrethanën se i pandehuri S.B e ka shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe nuk ka shtetësi të Republikës së Kosovës tregon rrezikun se nëse të pandehurit nuk i caktohet masa e paraburgimit i njëjti mund të arratiset dhe do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë.

 

Të ngjashme