Çeku: Rregullimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, prezantim i denjë i historisë së Kosovës

Prishtinë | 12 Maj 2021 | 15:19 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku, tha se janë të përkushtuar që të realizojnë projektin e rregullimit të Kompleksit Memorial “Adem Jasharit”, në mënyrë që historia e Kosovës të paraqitet sa më denjësisht para ndërkombëtarëve, raporton Ekonomia Online.

Çeku tha se në takimin e parë të Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, janë dakorduar që ky komision t’i ketë shtatë ekspertë të ndryshëm.

“Në këtë komitet i cili është duke u udhëhequr nga kryeministri Kurti për t’i dhënë trajtimin e merituar. Marrin pjesë edhe ministra dhe udhëheqës të institucioneve shtetërore bashkë me OVL- UÇK-në. Ne sot i morëm disa vendime të rëndësishme në lidhje me kompleksin memorial “Adem Jashari”. Fillimisht u prezantua një raport për gjendjen preliminare të ndërtesave ekzistues në kompleksin memorial i hartuar nga ekspert të Ministrisë së Kulturës dhe u vendos që ekipit të profesionistëve t’i bashkohen ende inxhinier të ndërtimtarisë për t’u siguruar që ndërtesat në kompleks nuk rrezikojnë të shemben”.

“Në mbledhjen e radhës do të kemi raportin përfundimtar mbi gjendjen fizike të ndërtesave të këtij kompleksi dhe mbas rekomandimit të profesionistëve do të marrim një vendim përfundimtar nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje në këto ndërtesa. Pika e dytë e mbledhjes së sotme ishte krijimi i komisionit të ekspertëve që parashihet me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. U dakorduam që ky komision t’i ketë 7 ekspertë të ndryshëm arkitektë, historianë. Ndërsa në mbledhjen e radhës do të vijnë emrat konkret të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar që do të votohen dhe propozohen nga komiteti për ta marrë detyrën e këtij komisioni të ekspertëve. Detyra e komisionit është që ta asistojë komitetin në procesin e projektit master plan për Kompleksin Memorial “Adem Jashari””.

 “Është me rëndësi që në këtë përpjekje i udhëhequr nga kryeministri ky komitet e ka marrë me seriozitet trajtimin e kësaj çështje dhe ne jemi të përkushtuar që gjithë detyrimet ligjore t’i zbatojmë deri në fund ta realizojmë projektin Memorial “Adem Jashari” dhe ta bëjmë sa më të prezantueshme ndërkombëtarisht në mënyrë që përmes kësaj vepre ta tregojmë historinë e vonshme të Kosovës”, u shpreh Çeku.

Të ngjashme