Certifikohen 180 shërbyes për zhvillimin e politikave publike dhe lidership

Prishtinë | 25 Tet 2017 | 18:33 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

USAID-i dhe RIT Kosova ua dorëzuan sot certifikatat rreth 180 shërbyes publikë të cilët kanë ndjekur për gjashtë muaj programin “Zhvillimi i Politikave Publike dhe Lidershipi”.

Programi, i cili implementohet nga USAID-i në bashkëpunim me Universitetin RIT (AUK) Kosova, synon të rrisë zhvillimin e politikave publike dhe kapacitetet për lidership në nivelin qendror dhe atë komunal, u tha në ceremoninë e organizuar me këtë rast.

Sharon Hart, presidente e RIT (AUK) Kosova, u shpreh se ky trajnim i ka ofruar Kosovës një kornizë të avancuar arsimore-edukative.

Lisa Magno, zëvendësdrejtore e USAID-it, duke iu drejtuar të sapo-certifikuarve, u shpreh se nga ta kërkohet që njohuritë e marra tash t’i aplikojnë në institucionet ku punojnë. “Ju do të jeni shtytësit përpara të ndryshimeve për një zhvillim më të mire”, deklaroi ajo.

Refike Sülçevsi, nga Instituti Kosovar për Administratë Publike, tha se qeveria ofroi përkrahje për këtë program, i cili sipas saj, ngrit kapacitetet e administratës publike.

“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike, si përgjegjës për zhvillim profesional të administratës publike, një fokus të veçantë i kanë kushtuar bashkëpunimit mes donatorëve dhe rrjeteve ndërkombëtare. Qëllimi i këtij programi është zhvillimi i politikave publike dhe lidershipi”, tha ajo.

Dejan Jovanoviq, nga Komuna e Graçanicës, e falënderoi Universitetin Amerikan në Kosovë, i cili sipas tij, edhe në këtë rast, ka treguar si ruhet dhe si vlerësohet diversiteti mes komuniteteve.

“Në emër të Komunës së Graçanicës ju them se stafi im kanë ngritur aftësitë në planifikim strategjik dhe kanë shkëmbyer përvojat në strategji politike. Pasi jemi komunë me shumicë serbe dëshiroj që ky program të shpërndahet edhe në komunat e tjera”, shtoi Jovanoviq.

Programi Zhvillimi i Politikave Publike dhe Lidershipi, sipas USAID-it, iu siguron shërbyesve civilë mundësinë për të kaluar nëpër një program intensiv, duke kryer një sërë detyrash praktike të shkruara dhe analitike për të mbështetur zhvillimin e një pozicioni rreth çështjes së dhënë i cili do të ishte i gatshëm për t’u shndërruar në politikë në fund të programit.

Pjesë e trajnimit, në këtë gjeneratë, kanë qenë 232 shërbyes civilë nga institucione qendrore dhe komunale; prej tyre 180 u certifikuan sot.

Në mesin e atyre që iu kanë ligjëruar pjesëmarrësve në këto kurse kanë qenë dhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga; ambasadori amerikan në Kosovës, Greg Delawie etj.



Lexo më shumë:

Të ngjashme