Çështja Thaçi dhe të tjerët, DhsK tregon se pse u hudhen poshtë ankesat e mbrojtjes

Prishtinë | 25 Gus 2022 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se pse Paneli i Gjykatës së Apelit  ka hudhur poshtë tri apelet e dorëzuara nga mbrojtja e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në lidhje me mangësi të pretenduara në aktakuzë.

Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ai tha se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Paneli i Gjykatës së Apelit, të hënën, me 22 gusht konfirmoi konstatimet e gjykatësit të procedurës parapake në lidhje me formën e aktakuzës dhe hodhi poshtë kundërshtimet e ngritura prej tre të akuzuarve.

“Një prej kundërshtimeve të ngritura prej tre të akuzuarve, një prej kundërshtimeve të ngritura prej tre të akuzuarve ishte në lidhje me redaktimet në aktakuzë. Paneli i Apelit pranoi ndikimin që mund të ketë redaktimet në aktakuzë ndaj aftësive të përgjithshme të të akuzuarve që të përgatisin mbrojtje adekuate. Megjithatë, Paneli i Apelit, konstatoi se prania e redaktimeve nuk përbën mangësi në formën e aktakuzës dhe gjykoi se vlerësimi i ndikimit të redaktimeve nëse do të ketë është i parakohshëm në këtë fazë”, ka thënë Doyle.

Sipas tij, gjykatësit e Panelit të Apelit, gjithashtu, konstatuan se aktakuza i përshkruan kontributet e pretenduara të të akuzuarve në ndërmarrjen kriminale të përbashkët si ndihmues dhe inkurajues me qartësi dhe konkretësi të mjaftueshme.

“Paneli i Apelit gjithashtu arriti në përfundimin se aktakuza paraqet me qartësi dhe konkretësi të mjaftueshme faktet mbi të cilat mbështeten akuzat përfshirë edhe në lidhje me përgjegjësinë eprore”, ka thënë ai.

Tutje, Doyle tha se Paneli i Gjykatës së Apelit në një vendim tjetër hodhi poshtë apelin e Hashim Thaçit kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake për paraburgimin të hënën, më 22 gusht.

“Paneli i Apelit konfirmoi konstatimin e gjykatësit të procedurës paraprake se masat të  tjera nuk do të pakësonin mjaftueshëm rreziqet e identifikuara për pengimin e ecurisë së procesit apo kryerje të krimeve të tjera”, tha ai.

Doyle ka thënë se gjykatësi i procedurërs paraprake në këtë çështje gjithashtu lëshoi një vendim tjetër, të martën, më 23 gusht, në të cilën urdhëroi prokurorinë që të rishikojë klasifikimin e provave të nxjerra dhe të parashtrojë deri më 4 nëntor një listë të provave që mund të  klasifikohen si publike, një listë të provave që do të duhej të mbeten konfidenciale deri në  fillim të gjykimit dhe një listë të provave që duhen të mbeten konfidenciale gjatë gjithë procesit.

Në vijim, ai tha se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, të hënën, më 22 gusht, hodhi poshtë kërkesën referuese Pjetër Shalës, në të cilën ai ngriti disa kundërshtime në lidhje me drejtësinë e procesit.

“Paneli konstatoi se kërkesa referuese ishte e parakohshme në këtë fazë të procesit, rrjedhimisht e hodhi poshtë si të papranueshme. Konkretisht, paneli gjykoi se rezultati i procesit mund të jetë i rëndësishëm nëse zoti Shala mund të pretendojë se është viktimë e shkeljeve të pretenduara të së drejtës së tij për gjykim të drejtë. Paneli gjithashtu tha se ky vendim nuk e ndalon zotin Shala që të paraqesë ankesa të tjera në lidhje me drejtësinë e procesit kundër tij gjatë fazave të ardhshme të procesit”, ka thënë ai.

Po ashtu, tha se mbrojtja e Hysni Gucatit këtë javë dorëzoi dosjen e apelit kundër aktgjykimit të shpallur  me 18 maj të këtij viti.

Ndërsa, tha se deklaratat përmbyllëse në gjykimin e e Salih Mustafës janë të caktuara për datat 13-15 shtator.

“Në parashtrimet e dorëzuara në këtë javë, prokuroria dhe mbrojtja indikuan  se deklaratat e tyre përmbyllëse do të zgjasin 1 ditë. Mbrojtësja e viktimave u shpreh se deklarata përmbyllëse nuk do të zgjas më shumë se sa dy orë”, ka thënë Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Të ngjashme