Çfarë dihet deri tash për variantin e ri ‘Mu’ dhe ku është përhapur?

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), po ndjek për së afërmi variantin e ri të koronavirusit, të quajtur ‘Mu’, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Varianti ‘MU’ është zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në janar të këtij viti.

Ky variant është përhapur në 43 vende duke u kthyer kështu në një kërcënim jo vetëm për autoritetet shëndetësore në Kolumbi, por edhe në botë.

Derisa përbën vetëm një pjesë të vogël të rasteve globale, shkencëtarët po studiojnë nëse ai ka karakteristika që e tejkalojnë mbrojtjen e krijuar nga vaksinimi ose infeksioni i kaluar.

Infektologu, Hamdi Ramadani në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se varianti ‘Mu’ për herë të parë është identifikuar në janar të 2021, porse ende nuk është studiuar mjaftueshëm.

“Nuk ka ende diçka konkrete që mund të themi rreth varianti ‘Mu’, përveç asaj që ky variant është shfaqur për herë të parë në janar të këtij viti në Kolumbi”, ka thënë Ramadani.

Tutje Ramadani ka theksuar se ky variant u shpërnda edhe në shumë vende të botës.

“Më vonë ky virus pati jehonë edhe në shumë vende të Amerikës Latine së Jugut, ku kanë raportuar për këtë variant”, ka deklaruar ai.

Varianti ‘Mu’ tani është prezent edhe në Evropë thekson Ramadani.

“Edhe në Evropë ka raportime për variantin ‘Mu’, ku në shkencë ky variant është i njohur edhe si varianti B.1.621”, është shprehur ai.

Sipas raportit më të ri epidemiologjik të OBSH-së, varianti Mu është renditur si “variant me interes” sepse ka një “grup mutacionesh që tregojnë veti të mundshme të ikjes imune”, që duhet të studiohen më tej.

Raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se ‘Mu’ duket se është më rezistent ndaj antitrupave.

Një imazh kompjuterik i koronavirusit – fotografi ilustruese

Variante të tjera monitorohen nga OBSH-ja?

‘Mu’ është varianti i pestë që renditet nga OBSH-ja si variant interesi, ndërsa janë edhe katër variante të tjera më serioze, që janë etiketuar si variante shqetësuese.

Pesë variantet e interesit janë:

Eta, i zbuluar për herë të parë në shumë vende në dhjetor të vitit 2020;

Iota, i zbuluar për herë të parë në SHBA në nëntor të vitit 2020;

Kapa, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020;

Lambda, i zbuluar për herë të parë në Peru në dhjetor të vitit 2020;

Mu, i zbuluar për herë të parë në Kolumbi në janar të vitit 2021.

Katër variantet shqetësuese, të cilat konsiderohet se kanë potencial për ta përkeqësuar pandeminë, janë:

Alfa, i zbuluar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit 2020;

Beta, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut në maj të vitit 2020;

Gama, i zbuluar për herë të parë në Brazil në nëntor të vitit 2020;

Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020.

Varianti ‘Mu’ është përhapur së fundmi edhe në Zvicër.

Ndërkaq, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë është 25.290.

Të ngjashme