Çifti amerikan që e la Amerikën për Lipjanin

Lipjanë | 28 Maj 2017 | 09:10 | Nga

Ata u flasin miqve amerikanë për shqiptarët.

Në komunën e Lipjanit jeton një çift amerikan, i cili erdhi në Kosovë për t’u ndihmuar njerëzve pas luftës. Mark dhe Trish Edwards, janë një çift amerikan i cili ka mbi 13 vjet që jeton në Kosovë më saktësisht në komunën e Lipjanit. Ata tregojnë në një intervistë për portalin rtv21.tv se e kishin vizituar Kosovën disa herë duke filluar që nga viti 2000.

Mark i cili me profesion është doktor, tregon se organizata e tyre erdhi pas një kërkese që bëri një njeri nga fshati Suhadoll i Lipjanit i cili jetonte në Zvicër dhe ishte i shqetësuar për familjen dhe fshatin e tij pas luftës.

“E filluam duke punuar në Suhadoll dhe në fshatrat tjerë të komunës së Lipjanit. Unë dhe Trish fillimisht erdhëm si pjesë e ekipit të ndihmave humanitare, duke shpërndarë ushqim dhe veshje dhe duke rindërtuar shtëpi, po ashtu unë kam bërë ndihmë mjekësore njëherit kam ndihmuar për t’i mësuar mjekët familjarë.

Motivi ynë për të ardhur ishte dashuria ndaj Zotit për ta ndarë me njerëzit këtu, me fjalë dhe vepra. Zoti i tregon secilit prej nesh sa shumë e do duke i dhënë kuptim jetës në mënyra të ndryshme përmes Jezusit. Ne jemi të lumtur të flasim për Zotin, por jemi munduar edhe tu ndihmojmë në mënyra të tjera të cilat i përmenda. Më vonë, ne ndihmuam të ndërtojmë një qendër për jetë më të mirë (Better Life Center) për sport dhe edukim në Lipjan. Tani kryesisht merremi me klasa të gjuhës angleze”, rrëfen Mark

Duke folur për atë se sa është e shtrenjtë jeta në Kosovë, Mark thotë se në përgjithësi nuk është jeta e shtrenjtë këtu. Sidomos sigurimet shëndetësore, riparimet e ndryshme si dhe ushqimi në restorante, tha se kushton më pak se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mark përmendi disa ndër gjërat që pëlqen më shumë në Kosovë, duke thënë se njerëzit që kanë njohur i kanë pranuar lehtë në shoqëri.

Ai tha se po ashtu u pëlqen vozitja me biçikleta përgjatë fshatrave të bukur. Ndërkaq për gjërat negative, ai tha se njerëzit po e humbin shpirtin dhe afërsinë që e kanë gjetur pas luftës dhe shumë prej tyre tha se po e humbin shpresën për të ardhmen. Mark tha se njerëzit po shqetësohen shumë për veten dhe nuk ndjejnë shumë përgjegjësi për komunitetin. Si shembull përmendi se mendojnë që mbeturinat në rrugë janë “problem i dikujt tjetër”.

Pasi që çifti amerikan flet mirë gjuhën shqipe, ata na treguan se sa ishte e lehtë për ta që ta mësojnë gjuhën tonë. “Ne ende po mësojmë…më pyet përsëri pas disa viteve. Në të vërtetë ishte e vështirë”, tha mes tjerash ai.

Mark tregoi se ata u flasin miqve amerikanë për shqiptarët, u tregojnë për nxënësit e tyre si dhe për kulturën e ngrohtësinë që kanë gjetur në Kosovë.

Çifti tregoi se u pëlqejnë ecjet në male. Veçanërisht tha se u pëlqejnë vendet më pak të njohura dhe të vogla, si Letnica. “Por sigurisht, vendi më i mire për ta vizituar, është shtëpia e një miku”, ka përfunduar Mark.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme