Çiklistët kërkojnë kushte për lëvizje të sigurt, u thonë shoferëve “Ne jemi trafiku”

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 17:40 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Ne jemi trafiku”, disa çiklistë kanë marshuar në rrugët e Prishtinës, me qëllim të vetëdijesimit të shoferëve se edhe ata janë pjesë e trafikut.

Egnesa Vitia nga grupi i çiklistëve “Critical Mass”, teksa shpalosi detaje lidhur me aktivitetin, tha se është goxha e rrezikshme që të jesh çiklist në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Ajo bëri të ditur se pas sheshit Ibrahim Rugova, me biçikleta do të lëvizin drejt pjesës së qytetit që njihet si “Qafa”, për të vazhduar te rruga Garibaldi, në Ulpianë, te rrethi e në fund për t’u takuar te kafeneja e çiklistëve për t’i shkëmbyer eksperiencat e tyre.

“Qëllimi ynë është me i vetëdijesu shoferët, po ashtu edhe me e ngritë zërin te Komuna e Prishtinës, ku kemi mungesë të shtigjeve të biçikletave, andaj edhe ne jemi sot trafiku, i themi jo veturave”.

“Në fakt rreziku është shumë i lartë por kur e do biçikletën nuk është edhe aq vështirë”.

Ndërsa Arlind Dema, një nga pjesëmarrësit në këtë aktivitet, tha se organizime të tilla duhet të bëhen çdo javë.

“Organizimin e shoh të qëlluar, duhet me ndodhë çdo javë jo vetëm një herë në muaj. Është një lëvizje e qytetarëve për vetëdijesimin e të gjithëve që me iu tregu që edhe na jemi njerëz sikur ata mbrapa timonëve që me pasë respekt për secilin”.

Kurse Urtina Mehmeti, një tjetër pjesëmarrëse, kërkoi nga Komuna e Prishtinës që çiklistëve t’iu krijohen kushte për të lëvizur në kryeqytet, raporton EO.

“Si organizim këtë herë ka mjaft njerëz, shpresojmë që të ketë  edhe muajin e ardhshëm, sepse tani ne nuk do të ndalemi, ne do të kemi dhe organizime të tjera. Jo që është vështirë, por është edhe rrezik i përditshëm por kur është diçka që ti e do, e ki pasion, i tejkalon edhe këto probleme. Ajo që po kërkojmë ne sot është kushtet minimale sepse jemi në kryeqytet dhe nuk kemi asnjë shteg në zonën urbane. Është për të ardhur keq”.

Aktivitet i ngjashëm me biçikleta është mbajtur edhe në muajin maj.

Të ngjashme