Cilat vende në Kosovë janë në rrezik nga përmbytjet?

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është duke përgatitur hartat e rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe hartimin e planeve për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësia, pas reshjeve dhe vërshimeve të fundit në disa komuna të vendit.

Kjo është bërë e ditur nga ministri Liburn Aliu përmes një postimi në Facebook duke shtuar se një gjë e tillë bëhet në mënyrë që në situata të tilla të jenë shumë më të përgatitur, dhe të përmirësojnë kapacitetet parandaluese dhe reaguese për situata të ngjashme në të ardhmen.

Ai ka theksuar se zyrtarë të kësaj ministrie kanë dalë në terren për të parë nga afër gjendjen e krijuar, me ç’rast janë vizituar rrjedhjet lumore në komunën e Rahovecit, ku sipas analizës në terren, gjendja e rrezikshmërisë nga vërshimet në këtë zonë nuk është alarmante. Ndërsa, vizita të ngjashme, Aliu ka paralajmëruar se nesër do të bëhen edhe në komunat Pejë, Mitrovicë dhe Istog.

“Jemi të angazhuar që të marrim masa konkrete përmes investimeve në infrastrukturë, që të jemi më të gatshëm për të përballuar përmbytjet që me siguri do të vijnë edhe në të ardhmen. Ekipet kompetente të menaxhimit të emergjencave në bashkëpunim me komunat, që nga orët e hershme të mëngjesit do të jenë në terren për të reaguar për çdo rast të evidentuar”, ka shkruar Aliu.

Të ngjashme