Cilësia e ujit të pijshëm arrinë në 99.28%, ai i ambalazhuar i pasigurt

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 08:23 | Nga Albanë Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Uji  i pijshëm në Prishtinë prej sistemeve qendrore të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” përmbushë të gjitha standardet e parapara të cilësisë sipas udhëzimit administrativ 16/2012 në bazë të direktivave evropiane.

Në bazë të raportit vjetor të IKSHPK-së për cilësinë e ujit të pijshëm në Kosovë, cilësia e ujit është përmirësuar nga viti në vit, ku nga 78%, tani në vitin 2019 ka arritur në 99.28%.

Koordinatorja nga Qendra e Monitorimit të ujit për pije në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Burbuqe Nushi-Latifi tha për Ekonomia Online se IKSHPK-ja ka kapacitete e nevojshme për analizimin e mostrave të ujit derisa  të dhënat laboratorike për parametrat kimik dhe bakteriologjik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije.

Sipas saj, në bazë të sasisë së ujit përcaktohen frekuencat derisa njoftoi se çdo ditë në Prishtinë punohen 10-15 mostra për monitorim të ujit.

“”Në institut ekziston qendra e laboratorëve testuese ku bëhen analizat laboratorike, 4 laboratorë me parametra të caktuar për monitorimin e cilësisë së ujit, ku të gjitha janë të akredituara. Qendra për monitorimin e ujit ku bëhet planifikimi ose plani monitorimit dhe përcjellja e cilësisë së ujit në baza ditore. Në Prishtinë përcaktohet frekuenca në baza të udhëzimit administrativ 16/2012 i cili e ka transpozu direktivën evropiane në legjislacionin tonë. Duke llogaritur sasinë e ujit që futet në një zonë të caktuar të ujit të furnizimit, në bazë të sasisë përcaktohet frekuenca, ku në Prishtinë në bazë ditore punohen 10-15 mostra, derisa në Dragash me sasi me të vogla dhe frekuenca është me e rrallë 1 herë në javë. Punohen bakteriologjia në të gjitha pikat çdo ditë, dhe kimia punohet 60 % prej tyre”.

IKSHP-ja garanton për cilësinë e ujit dhe sipas tyre uji i pijshëm është brenda standardeve për monitorim të ujit.

Sipas Nushi-Latifit i gjithë ekipi konsumojnë ujë nga ujësjellësi derisa përmendi edhe mbesat 4 vjeçare të cilat janë konsumatore të ujësjellësit.

“Instituti garanton dhe përcjell cilësinë e ujit. Kemi përgjegjësi në rubinet, në pikën ku qytetari konsumon ujin. Në bazë të raporteve 2015- 2019 cilësia brenda standardeve të parapara dhe çdo vit cilësia është më e mirë. Përputhshmëria totale 2015 ka qenë 78 për qind derisa sivjet është 99.28%. Uji i pijshëm në Prishtinë prej sistemeve qendrore të ujësjellësit është brenda standardeve të parapara për monitorim të ujit të pijshëm. Ekipi të ciline udhëhiqi dhe gjithë bashkëpunëtoret e konsumojmë ujin e qeshmë besa edhe mbesat 4 vjeç e konsumojnë të njëjtin”, tha Nushi-Latifi për Ekonomia Online.

Edhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, prej së cilës furnizohen me ujë të pijes afër gjysmë milion banorë të Kosovës, garanton qytetarët se uji që distribuojnë është cilësor dhe i pijshëm.

Menaxherja Ekzekutive e Departamentit të kualitetit të ujit, Sabrie Spahiu në një prononcim për Ekonomia Online, theksoi se përpunimi i ujit është në nivel maksimal. Sipas saj kualiteti i ujit është 99.9% brenda standardëve të ujit të pijshëm.

“Ujësjellësi “Prishtina” furnizohet nga tri burime sipërfaqësore, liqeni i Badaovcit, i Batllavës si dhe nga liqeni i Ujmanit që merret përmes kanalit Ibër- Lepencë. Uji është i pijshëm, përpunimi është në nivelin maksimal të ujit. Fabrikat i kemi në gjendje të mirë, proceset teknologjike kryhen të gjitha ashtu siç kërkohen nga kërkesat e ujit të patrajtuar. Parametrat që bëhen pas trajtimit dhe kualiteti është 99.9 për qind janë brenda standardëve për ujë të pijshëm sipas udhëzimit administrativ numër 16/2012”.

Spahiu ka treguar për rastet e dyshimit që mund t’i hasin gjatë testimit, qoftë nga turbullirat apo prishjes së gypit për të cilat tha se kontrollohen, intervenohet si dhe përmirësohet rasti.

“Gjatë testimit të parametrave nëse hasim një parametër e tejkalon vlerën, qoftë turbullirë atëherë marrim masa në fabrikë, së pari e lokalizojmë problemin, dhe veprojmë duke marrë mostra shtesë, duke bërë analiza shtesë për të vërtetuar se a ka qenë e rastit apo është me të vërtetë. Nëse është e rastit mundet me ndikuar një prishje, riparim i ndonjë gypit. Çdo gjë kontrollohet dhe intervenohet aty ku kemi mundësi për të përmirësuar”.

Spahiu theksoi se uji i ambalazhuar është më pak i sigurt për shkak të kushteve, temperaturës, afatit  1 vjeçar si dhe qëndrimit në shishe të plastikës derisa uji i ujësjellësit lëviz çdo sekondë si dhe mbikëqyret dhe klorinohet.

“Uji i ambalazhuar dhe i ujësjellësit është nga burimet, por esenca është se uji i ambalazhuar varet prej kushteve ku ruhet, ka shumë rëndësi ruajtja e temperaturës deh afati që është shumë i gjatë deri në 1 vit plus në shishe të plastikës. Më sigurt e konsumoj ujin e ujësjellësit pasi e di që lëviz çdo sekondë dhe është në mbikëqyrje, klorinohet, është i sigurt për pije” , thotë Spahiu për EO.



Të ngjashme