Çka do të ndodhë tash me Hanin e Elezit, flasin nga KQZ-ja

Prishtinë | 26 Tet 2021 | 08:17 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme të hënën e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Kësisoj, komuna e Hanit të Elezit nuk do të shkojë në rivotim

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për Express se pas vendimit të Supremes, do të pritet derisa palët t’i shterojnë mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore.

“Lidhur me çështjen e komunës së Hanit të Elezit, ne e kemi parë  së fundmi vendimin e Gjykatës Supreme duke e kthyer çështjen në PZAP për rivendosje, prandaj, në një situatë të tillë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të presim që palët t’i shterojnë mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore, para se të bëjmë deklarime dhe njoftime të tjera”, ka deklaruar Elezi.

Elezi tha se KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare të 37 komunave tjera, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara.

“Ne jemi të vetëdijshëm se çështja e komunës së Hanit të Elezit është duke u trajtuar në institucionet përkatëse, por meqenëse çdo komunë është një zonë e veçantë zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të 37 komunave të tjera, pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e parapara”, ka deklaruar Elezi.

Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, raporton Express

Me këtë rast, Supremja ka anuluar vendimin e PZAP-së që Hani i Elezit të shkojë në rivotim.

“APROVOHET si e bazuar ankesa e Mehmet Ballazhi, kandidat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, i subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ANULOHET vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.693/2021, të datës 21.10.2021, dhe çështja i kthehet PZAP-it, në rivendosje”, thuhet në vendim.

Të ngjashme