Çmimet rekorde të derivateve, Ministria reagon, duket se nuk do të bëjnë diçka shpejt

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Pasi çmimet e derivateve në vend arritën në nivel rekord, ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Nga kjo Ministri kanë thënë se janë duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës “që do të mbrojnë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”, raporton Express.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit.

Ligji i ri i naftës parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT’, vendimarrja pritet të ndodhë shpejt. Thonë se drafti tashmë është gati dhe se po punohet që të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri.

“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt. Në ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po vazhdon monitorimin e tregut”, ka njoftuar Ministria.

Ndryshe, ish-kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme bashkë me institucionet e pavarura që merren me konkurrencën për të vërtetuar shkaqet e rritjes së çmimeve të derivateve.

Mustafa i ka thënë Gazetës Express se duhet vërtetuar se a po rriten çmimet shkaku i çmimeve të berzës, derisa ka paralajmëruar edhe për mundësinë e marrëveshjeve monopoliste mes naftëtarëve.

Përveç kësaj, Mustafa ka deklaruar se Qeveria duhet ta ulë apo ta heq përkohësisht akcizën në import të derivateve, derisa të ketë stabilizim të tregut dhe çmimeve.

“Qeveria do duhej të merr masa të menjëhershme së bashku me institucionet e pavarura që merren me konkurrencën për të vërtetuar shkaqet e rritjes së çmimeve të derivateve; sa janë ato pasojë e çmimeve të berzës, dhe sa pasojë e marrëveshjeve monopoliste të naftarëve tanë. Krahas kësaj duhet ta rishqyrtojë akcizën në import të derivateve, ta ulë apo ta heq përkohësisht, derisa të stabilizohet tregu dhe çmimet.

Ai ka drejtuar kritika në adresë të Qeverisë Kurti, duke thënë se është e padijshme, e padenjë dhe e papërgjegjshme.

“Qeveria nuk po merret me çmime, me inflacion, me varfërinë, me pagat dhe pensionet. As me rastet korruptive! Kryeministri është i zënë, po ligjëron jashtë vendit për neokolonializmin e OKB-së në Kosovë dhe masat shtesë ndaj Rusisë ( pasi e refuzoi gazin amerikan)!! Kjo qeveri po tregon qartë se nuk ka lidhe me qeverisjen, se është e padijshme, e padenjë dhe e papërgjegjshme. Mbledh tatime e taksa nga qytetarët, lavdërohet se po mbushet arka e shtetit, kurse nuk kujdeset për tatimpaguesit”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, ka kërkuar sot heqjen e akcizës së naftës dhe tatimin mbi produktet bazike për pesë muaj.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë.

“Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, propozoi Lekaj.

Propozimin për reduktim të akcizës dhe zvogëlim të TVSH’së ishte dhënë fillimisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 7 mars, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku kishte propozuar që të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH’ja për tre muajt e ardhshëm.

“Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë”, kishte shkruar Abdixhiku.

Ai kishte propozuar edhe racionim të sasisë të naftës që një individ do të mund të blente.

“Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.

Të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë. Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë”, ishin propozimet e tjera të Abdixhikut.

Këto propozime i ka ripërsëritur edhe para një jave, përmes një postimi në Facebook.

Të ngjashme