“Çmimet si në Zvicër”, ankohen qytetarët – Kosova e varur nga importi, prandaj duhet të përkrahen prodhuesit

Prishtinë | 23 Jan 2022 | 09:30 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritja e çmimeve për produktet bazë të konsumit si ato të mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse është paralajmëruar edhe këtë vit, përkundër që ngritje pati edhe në fund të vitit që shkoi.

Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online konsiderojnë se çmimet në Kosovë janë “të larta si në Zvicër”. Ata po kërkojnë që Qeveria të marrë masa të menjëhershme, pasi nuk mund t’i përballojnë çmimet.

Nazlije Arifi ka ironizuar me rritjen e çmimeve ne vend, ngase kur u pyet për këtë çështje ajo shkurt tha “agjërojmë më shumë”.

Blerim Ahmeti, thotë se veç një litër vaj kushton gati 2 euro, duke e krahasuar këtë me çmimet në Zvicër.

“Ma shtrenjtë se në Zvicër, një litër vaj është bërë 1.80 cent më e lira. Nuk i përballon askush jo veç ne. Janë inspektorët e tregut që merren me këtë punë, ata duhet të merren. Ne çka kemi me bë?!”.

Përderisa, Gëzim Berisha tha se ngritja e çmimeve ka ardhur edhe si pasojë që Kosova importon shumicën e produkteve e ka pak prodhim.

Berisha konsideron se rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore qytetarët nuk mund ta përballojnë.

“Kosova nuk prodhon pothuajse asgjë, këtu është problemi te importi, po edhe këtu Qeveria mundet me ndërhy për me i ul tatimet”.

Alfret Halili tha se në Kosovë është rritur çdo gjë përveç pagave dhe numrit të vendeve të punës.

“‘Më keq më veç vdekja’. Mendoj që kjo çështje i takon Qeverisë, është dashtë me i parashikuar këtë gjëra më herët, mos me ndejt në zyrat e tyre edhe me statuse në Facebook”.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gërxhaliu, tha se pandemia ka ndikuar që të ketë edhe rritje çmimesh, por edhe fakti që Kosova është e varur nga importi.

Sipas tij, në vitin 2021 është arritur një rekord ku janë importuar më tepër se 4 miliardë e 700 milionë euro mallra.

“Në kuadër të pandemisë ekonomike, më shumë është duke pësuar shporta e qytetarëve sepse e tëra kjo ka ndikuar në një rritje spekulative të produkteve strategjike”.

“E tëra kjo e dëshmon që vërtetë shporta e qytetarit është shumë e shtrenjtë. Në këtë drejtim besoj që duhet të punohet më tepër në minimizimin e varfërisë në Kosovë. Raporti i Bankës Botërore e ka alarmuar situatën edhe në Kosovë edhe në Shqipëri”.

Edhe Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike si dhe profesor universitar, për Ekonomia Online tha se ngritje e çmimeve të produkte ushqimore ka ardhur si pasojë e pandemisë dhe importit.

“Ne jemi ekonomi  e ndërvarur ekonomi e vogël, e varfër me një buxhet më të voglin në rajon. Mendoj se deri nga fundi i gjashtë mujorit të parë të këtij viti do të ketë ngritje mirëpo ne si shoqëri jemi përgatit për ekonomi të tregut, por në këtë rast ndërhyrja minimale e shtetit kishte me qenë e domosdoshme”.

Ai thotë se prodhuesit vendës duhet të përkrahet e të avancohet, ngase nëse nuk merren masa mund të ketë krizë ekonomike, raporton EO.

“Shpresoj që buxheti që është miratuar në dhjetor është më i lartë se çdo herë. Besoj që duhet të ndërmerren hapa urgjentisht në mënyrë që të parandalohen”.

“Nëse vazhdon rritja e çmimeve deri në qershor qysh e shoh unë. Pastaj do të ketë rënie do të vije duke u stabilizuar çmimet. Besoj që shteti duhet ta merr seriozisht që të ndërhyjë edhe skemat sociale e politikat sociale duhet që ti përkrahë. Shteti duhet që ta miratojë pagën minimale”.

Safet Gërxhaliu
Jakup Bellaqa

Të ngjashme