Coca-Cola HBC hap palestrën më të madhe në natyrë në Parkun e Gërmisë

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 15:11 | Nga

Coca-Cola HBC Kosovë ka ndërtuar “Zonën aktive Coca-Cola,” të dytën me radhë dhe më të madhen në Prishtinë, në Parkun e Gërmisë. Kjo palestër në ambient të hapur është pjesë e zotimit të kompanisë për të mbështetur mirëqenien e komunitetit. Me këtë rast, ngjarjen e hapi Menaxherja për Komunikim e Kompanisë Coca-Cola HBC Kosovë, Albena Pllana, pasuar me një fjalë rasti nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe fjalë përshëndetëse nga përfaqësuesja e sektorit të Ekonomisë dhe Tregtisë nga Ambasada e SHBA-së, Megan Naylor.

“Investimi në komunitet përbën prioritet të lartë për vlerat e kompanisë sonë, e cila shquhet me shkallë të lartë të përgjegjësisë sociale, andaj ne vazhdimisht përpiqemi të ushtrojmë ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm në qytetet ku punojmë dhe jetojmë. E kemi ndërtuar këtë palestër në natyrë të Parkut tonë të Gërmisë dhe do të kishim dëshirë të madhe që t’i shohim qytetarët tanë, të rinj e të moshuar, duke përfituar dhe shfrytëzuar mundësinë për të ushtruar dhe jetuar një jetë aktive përplot aktivitete fizike. Gjithashtu, inkurajoj të rinjtë tonë që të përkujdesen për këto pajisje, duke siguruar që ato të mund të përdoren dhe të jenë në dispozicion edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Albena Pllana, menaxhere për komunikim e Kompanisë Coca-Cola HBC Kosovë.

“Kjo pjesë ku gjendemi tash [Parku i Gërmisë], është një pjesë ku fillon edhe përfundon një shteg 10km i cili përdoret nga vrapuesit e ndryshëm në mëngjes – po ashtu edhe nga kryetarët e komunave të tjera në Kosovë – dhe ka qenë kërkesë e tyre qe një kohë të gjatë që në këtë pjesë të parkut të ketë një fitnes të hapur, ku pas vrapimit të kenë mundësi edhe të bëjnë ushtrime të tjera, që u realizua nga kompania në fjalë.”, tha Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Projekti u mirëprit edhe nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ne ç’rast Megan Naylor përshëndeti pjesëmarrësit dhe duartrokiti përgjegjësinë sociale të kompanisë, e cila është vlerë thelbësore e sektorit privat amerikan.

Në këtë aktivitet të organizuar në natyrë mysafirët patën mundësinë që të marrin mësime të shpejta mbi përdorimin e këtyre pajisjeve, nën udhëzimet e trajnerëve profesionalë të fitnesit, si dhe të shijojnë muzikë dhe pije të shkëlqyeshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme