Coronavirusi – cilësia e ajrit përmirësohet për 50%, për lumenjtë s’ka të dhëna

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 13:01 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, sidomos zvogëlimi i lëvizjes së automjeteve ka ndikuar që cilësia e ajrit të përmirësohet për mbi 50%.

Në një intervistë për Ekonomia Online, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, tregoi për cilësinë e ajrit gjatë muajit mars dhe prill është përmirësuar ndjeshëm. Morina përmendi transportin si një ndër ndotësit më të mëdhenj në vend.

Ai ka sqaruar në të gjitha stacionet ka rënie të dyoksidit të azotit që është produkt i djegies së karburanteve nga automjetet.

“Në të njëjtën kohë kemi rezultatet e marsit dhe prillit ku ndotja e ajrit ka rënë në nivel të gazrave të oksideve të azotit që lidhet drejtpërdrejtë me djegien e karburanteve ose me automjetet”.

“Transporti është njëri ndër ndotësit më të mëdhenj në vend. I dha shenjat e tij që me ndalesën e tyre cilësia e ajrit të ngritet”.

“Kështu patëm mbi 50% deri në 60% në Han të Elezit sepse është pikë kufitare e rënies së ndotjes nga oksidet e azotit. Te gazrat ka pasur rënie dhe ngritje të cilësisë së ajrit”, shtoi ai.

Morina tha se qytetet më të ndotura në vend janë Gjilani dhe Prishtina, raporton EO.

“Gjatë dimrit kur e kemi ndotjen më të madhe Gjilani na ka dal vendi me i ndotur si qytet edhe Prishtina, Drenasi ndërsa më pak të tjerat”.

“Ndërsa në qendrat urbane varësisht se si e djegin thëngjillin dhe ngarkesa e transportit urban”, shtoi Morina.

Sipas tij, matja e ndotjes sa i përket lumenjve bëhen online, ani pse ende nuk kanë të dhëna të sakta të cilësisë së ndotjes së lumenjve, shkaku i pandemisë.

“Te lumenjtë ne kemi matje online që marrim të dhëna, ndotjet si aksidente kanë rënë sepse shumë industri prodhuese dhe tregti nuk kanë funksionuar si përpara, mirëpo nuk kemi ende rezultate të përfunduara dhe të dhënat janë në 56 pika të Kosovës”.

“…kështu që ende nuk mund të flasim për një ndryshim të cilësisë së ndotjes gjatë kohës së pandemisë”, shtoi ai për EO.

Të ngjashme