Coronavirusi i prek pesë zyrtarë korrektues të burgut të Mitrovicës, Thaçi jep detaje

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Pesë zyrtarë korrektues të burgut të Mitrovicës kanë rezultuar pozitiv me Coronavirus. 

Këtë e ka konfirmuar drejtori i burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi.

Ai ka thënë se dy nga zyrtarët kishin qenë në dasmën e mbajtur në Zveçan për të cilën u raportua se u mbajt pas shpalljes së gjendjes emergjente në vend. 

“Pasi dy nga zyrtaret shfaqën simptoma, shërbimi korrektues organizoi të bëhen analizat e mbi 20 zyrtarëve të shërbimit korrektues me të cilët këta dy të prekur besohet se kishin kontakt, nga të cilat, 5 dolën pozitivë”, u shpreh Thaçi në KTV.

Drejtori Thaçi ka thënë po ashtu se nga të burgosurit nuk ka asnjë rast as me simptoma e as të konfirmuar dhe se janë intensifikuar vizitat mjekësore në të gjitha burgjet në vend. Pandemia ka ndikuar dukshëm në ritmin e jetës brenda burgjeve, dhe tashmë kur vizitat e familjarëve janë ndalur, të burgosurit po komunikojnë vetëm me telefon dhe përmes platformës së internetit Skype. 

“Thirrjet telefonike i kanë pasur të kufizuara ndërsa tash i kanë pa kufi dhe ne po organizohemi që varësisht prej kërkesave, t’u mundësojmë biseda nëpërmjet Skype të gjithë të burgosurve”, ka thënë drejtori Thaçi. 

I pyetur nëse ka kërkesa për pezullim të dënimit për raste të caktuara, Thaçi deklaroi se pothuajse nga të gjitha burgjet kanë pranuar peticione nga të burgosurit që po tentojnë të pezullojnë dënimet këto ditë, por që një gjë e tillë sipas tij nuk është e mundur me legjislacionin në fuqi. 

“Shërbimi korrektues i ka drejtuar së paku 3 kërkesa tek gjykatat për të liruar disa të sëmurë kronik në këtë kohë, por përgjigja nga gjykatat ka qenë negative dhe kjo për shkak se ligjet në fuqi nuk parashohin pezullim apo falje në situata të tilla”, ka theksuar Thaçi. 

Ai ka thënë se rreziku më i madh është për pacientët të cilët i nënshtrohen dializës e që janë të detyruar të barten nga burgu i Dubravës në spitalin e Pejës disa herë në javë. 

Megjithatë, Thaçi ka thënë se edhe brenda burgut janë riorganizuar duke shërbyer ushqim në dhoma dhe duke shtuar nivelin e pastërtisë.    

Të ngjashme