Çrregullohet rrjeti shtetëror, s’dihet nëse ka të bëjë me sulm nga hakerët

Prishtinë | 06 Nën 2017 | 14:55 | Nga

Presidencës dhe institucioneve të tjera u është çrregulluar sistemi i emaileve zyrtare.

Sot në mesditë, dy emaile të vjetra, njoftime dhe komunikata për media, të cilat u ishin shpërndarë mjeteve të informimit në muajin e kaluar, u janë ridërguar vetvetiu sërish nga rrjeti shoqëror.

Se u është çrregulluar sistemi e pranojnë edhe në Presidencën e Kosovës.

I kontaktuar nga Telegrafi, këshilltari për media i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka thënë se ende nuk e dinë pse ka ndodhur ky çrregullim dhe u janë ridërguar vetvetiu komunikatat e vjetra.

“I gjithë sistemi është në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike dhe bashkë me IT-të e presidencës, ata tash janë duke e kërkuar problemin që ka çuar deri te ky çrregullim”, ka thënë përmes telefonit Behramaj.

Ai ka thënë se nuk e dinë nëse bëhet fjalë për ndonjë sulm hakerësh dhe ka sugjeruar që t’i drejtohemi përgjegjësve për rrjetin shtetëror, i cili administrohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme