“Cycle Kosovo for Children 2021” mbledh mbi 10,000 euro për pajisje shëndetësore për fëmijë

Prishtinë | 07 Qer 2021 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Blerja e pajisjeve mjekësore për fëmijë në Spitalin e Prizrenit është këtë vit fokusi i ngjarjes vjetore të bamirësisë Cycle Kosovo for Children.

Cycle Kosovo for Children është një ngjarje për mbledhjen e fondeve, e organizuar që nga viti 2014. Që atëherë, një grup prej 40 – 50 çiklistësh marrin pjesë në turneun vjetor, duke çikluar nëpër Kosovë, duke kaluar nëpër qytete të mëdha të vendit, duke përfshirë 500 km çiklizëm dhe 6,000 metra të ngjitjes. Turneu vazhdoi çdo vit me të njëjtin qëllim, përkatësisht mbledhjen e fondeve për të blerë pajisje mjekësore për institucionet e kujdesit shëndetësor në Kosovë.

“Me iniciativën e këtij projekti, këtë here fondet e mbledhura kemi vendosur t`i shfrytëzojmë për të blerë pajisje mjekësore për Spitalin e Prizrenit dhe për t’i furnizuar me pajisjet e kërkuara mjekësore në këtë spital”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Këtë vit, për të shtatën herë me rradhë përfundon me sukses ngjarja e organizuar nga Cycle Kosovo for Children dhe Action for Mothers and Children. Si çdo vit, fondet sigurohen nga sponsorët dhe shitja e biletave dhe 100% e tyre do të shkojnë në blerjen e pajisjeve mjekësore”, shkruan tutje aty.

“Një falenderim i veçantë shkon për sponsorët e kësaj ngjarje të cilët ishin: Trepharm, KIVO, BPB, ALT3C dhe EcoVent të cilët kanë kontribuar në kauzë bamirësie”, thuhet në fund.

Të ngjashme