D4D: Digjitalizimi i administratës në Kosovë do të reduktojë shpenzimet dhe mundësinë e korrupsionit

Prishtinë | 12 Pri 2022 | 17:46 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar sallonin e së martës me temën “Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve në Kosovë: Zvogëlimi i barrës administrative dhe digjitalizimi në nivel qendror dhe lokal”, raporton Ekonomia Online.

Kushtrim Canolli, zyrtar i lartë për planifikimin e politikave në Zyrën e Kryeministrit, tha se procesi i digjitalizimit të shërbimeve të administrative si proces ka nisur nga viti 2013, por ende nuk ka përfunduar.

Ai tha se digjitalizimi redukton kohën për kryerjen e një shërbimi, shpenzimet, por edhe e ul mundësinë e korrupsionit.

Canolli theksoi se digjitalizimi nuk nënkupton që një numër punonjësish do të largohen nga puna.

Ai tha se deri në vitin 2023 do të krijohet një bazë që përkufizon koordinimin e politikave, dhe ndërlidhjen e politikave publike me buxhet. “Në këtë kontekst është duke u zhvilluar Strategjia Kombëtare për Zhvillim”.

Ai tha se situata me pandeminë e ka ngadalësuar pak procesin. “Duhet të punohet tutje për digjitalizimin e sa më shumë shërbimeve. Supozojmë që janë mbi 700 shërbime qe ofrohen nga administrata publike me të cilat qytetarët paraqiten para administratës publike. E kemi qëndrueshmërinë po edhe zbatimi i politikave po shkon mbarë. Në këtë rast po flas prej fillimit të procesit, digjitalizim nuk e zvogëlon atë barrë, është aspekti fundor dhe duhet të zvogëlojmë dokumentet e panevojshme”.

“Digjitalizimi sa më shumë i shërbimeve e largon njeriun nga puna pse nga funksioni, në administratën publike është më e vështirë të thuhet kjo. Nuk do të thotë që prapa sistemit elektronik nuk qëndron dikush që e manovron dhe e organizon punën. Në kontekst të administratës publike nuk do të thotë që e minimizon vendet e punës”, tha ai.

“E komuna është nismë që është duke u bërë ne nuk jemi kundër, ne jemi shërbimi civil që planifikon dhe koordinon. E-kosova do të jetë një dritare e vetme, dhe e komunat e kanë një mundësi për të marr shërbime nga komuna është në kuadër edhe të platformën e-kosova”.

“Digjitalizimi redukton kohën po edhe shpenzimin. Na e quajmë në kuadër të kostos në ekonomi, kostoja e vështirësisë që prodhon korrupsionin dhe irritimin. Sa më pak qytetarët ka para administratës, është e vërtetë qe korrupsioni ulet në këto shërbime, nëse i digjitalizojmë”, tha tutje Canolli.

“Barra Administrative si proces ka filluar nga 2013-ta të zvogëlohet nga stoku i mbetur me ndihmën e Bankës Botërore pastaj në vitin 2018 është miratuar edhe konceptdokumenti kurse në vitin 2020 është miratuar programi i barrës administrative. Është dashur të rishikohet dhe të ndryshohet më disa aspekte qe jemi duke punuar ende. Një intervenim ose mbështetje e mire ka ardhur nga Banka Botërore për zyrën e kryeministrit, programi i ndryshuar parasheh që të gjithë procedurat administrative në nivelin qendror, të përfshihet edhe në nivelin lokal”, tha ai.

Canolli tha se janë duke bashkëpunuar me të gjitha komuna ku janë në fazën e identifikimit të barrës administrative dhe barrës sa saj.

“Duke respektuar disa parime, parimet e Komisionit Evropian po ashtu edhe parimi së pari në mënyrë digjitale ku pretendohet qe të digjitalizohen deri aty ku mundemi edhe ne dhe qytetarët preferojnë mënyrën digjitale, ndërsa një pjesë mund të preferojë kategorinë klasike”, tha tutje ai.

E drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani, tha se institucionet e tjera duhet të marrin shembull Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), e cila ka një nivel të mirë për ofrimin e shërbimeve në mënyrë elektronike.

“Jemi shumë larg digjitalizimit”, tha Demolli-Namani, e cila përmendi se ky proces ishte paraparë në strategjinë për vitet 2015 -2020.

“Mendoj që me pak vullnet, më shumë politik, një gjë e tillë është e lehtë. Secili qytetar jemi kyçur në platformën e-kosova e ai portal të përdoret për shumë çështje tjera qoftë edhe për certifikata etj. Çka funksionin mirë është Administrata Tatimore e Kosovës, që shumë lehtë e ki qasjen në ATK. E kemi shembull shumë të mirë, ish dashtë me kanë shembull edhe për institucionet tjera”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se vendosja e e-kioskave në komunat e Kosovës kanë lehtësuar sado pak jetën e qytetarëve. Tha se ndonëse shumë shërbime kryhen me e-banking, detyrimisht nevojitet pritja në radhë për disa shërbime të tjera.

Edhe Demolli-Namani pajtohet se digjitalizimi do të do ta zvogëlonte korrupsionin.

Të ngjashme