Daçiq: Kur jemi vetëm, me Pacollin flasim sikur të ishim të një nëne

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 15:37 | Nga

Ministri i Punëve të jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, në një intervistë për mediumin serb “blic” ka thënë se gjatë takimeve me ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacollin flasin sikur të ishin të lindur nga një nënë, ndërsa ka shtuar se shefi i diplomacisë kosovare pas takimeve e akuzon atë se bën diversione ndaj Kosovës, transmeton Koha.net.

Në pyetjen se si duken takimet e tij me Behgjet Pacollin, Daçiq është përgjigjur:

“Sikur të na kishte lindur një nënë. Aq bukur flet kur jemi vetëm unë e ai sa që unë ndihem keq. Porse, sapo të dalë nga takimi, ai ankohet se unë ia prish konceptet. Thotë se ‘sapo bëj diçka unë, Daçiq shkon dhe e tërheq një njohje’. Ai personalisht e kupton këtë. Arsyetohet madje se nuk i shkruan kumtesat me të cilat më sulmon, porse disa shërbime”.

Në pyetjen se a merret vesh më mirë me Hashim Thaçin apo Ramush Haradinajn, Daçiqi u përgjigj: “Haradinajn nuk e njoh. Me Thaçin kam punuar dhe më duhet të them se kemi pasur marrëdhënie korrekte”.

Shefi i diplomacisë duke folur për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ka thënë se Serbia nuk të do lejojë dhe e ka “arsyetuar” kështu:

“Fakti se nuk do të lejojmë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare nuk është çështje inati ose komploti. Është çështje parimi. Duam zgjidhje që do ta përfshinte edhe këtë segment. Për karrigen e Kosovës në OKB nuk do të na pyesë askush. E po të pyetemi, kjo do të thotë se ne duhet ta thërrasim Rusinë e Kinën dhe atyre t’iu themi ‘lëreni të hyjë KB’. Ose të gjitha vendet që i kam bindur ta tërheqin njohjen, t’i thërras e t’iu them ‘njiheni sërish Kosovën’. Kjo është joserioze”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme