Daja i Adem Jasharit largohet nga FSK-ja, del në pension

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Sot në ambientet e Kazermës “Evropianët e Rinjë ” në Pomozotin , u mbajt sot ceremonia zyrtare me rastin e pensionimit të rregullt të Komandantit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral brigade Xhevahir Geci.

Për ta falënderuar për kontributin e dhënë ndër vite para familjarëve, miqve, bashkëluftëtarëve e bashkëpunëtorëve të gjeneral Gecit foli zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës gjeneral major Enver Cikaqi dhe zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare kolonel Shaip Haziri.

Në fjalën e tij gjeneral Cikaqi vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e gjeneral Gecit për shtet ndërtim.

“Gjeneral Geci ka një bagazh të madh të kontributit të tij për shtet ndërtim, duke filluar që nga aktivitetet e vitit 1992, për të vazhduar më pas si epror i UÇK-së dhe TMK-së dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e transferimit dhe të gjitha të arriturave të deritashme në FSK. Gjeneral Geci kudo që ka shërbyer ka qenë shembull i veçantë për të gjithë ne, duke krijuar marrëdhënie të jashtëzakonshme njerëzore me gjithë stafin e tij”, tha ai.

Para të pranishmëve foli edhe kolonel Shaip Haziri i cili u shpreh që ndjehet mjaft krenarë që ka punuar deri me tani me gjeneral Gecin.

“Gjeneral Geci çdo herë tregoi gatishmëri dhe vullnet komandues për të ofruar udhëzim dhe drejtim për Komandën dhe Njësitë e Gardës Kombëtare, në mbajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, për të qenë të gatshëm të veprojmë me efikasitet në operacione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit”, tha Haziri.

Ndërsa në fund të ceremonisë, në fjalën e tij përshëndetëse, komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Xhevahir Geci me emocione si asnjëherë më parë, para te pranishmëve u shpreh që ndjehet mjaft krenar për gjithë veprimtarinë dhe karrierën e tij ushtarake në shërbim të vendit dhe qytetarëve të tij duke filluar që nga UÇK-ja, TMK-ja për të përfunduar me periudhën e fundit të shërbimit në Forcës e Sigurisë së Kosovës.

“Të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, Unë po e lë uniformën por jo dhe vullnetin e gatishmërinë për të qenë pranë jush sa herë të keni nevojë për përvojën time. Pavarësisht se ku do të më dërgojnë valët e jetës, unë me mendje dhe me zemër do të mbetem këtu, te uniforma e ushtria që lindi nga gjaku i dëshmorëve të kombit dhe u rrit nga mundi dhe djersa e secilit nga ju. Uroj që ushtria e jonë të zhvillohet e forcohet për të mbrojtur territorin e vendit tonë, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar krahë me aleatët tanë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë”, tha ai.

Të pranishëm në këtë ceremoni përveç eprorëve dhe kolegëve nga FSK-ja, ishin edhe kryetarët e komunave: Skenderaj, Drenas dhe Obiliq, drejtori i NALT-it, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si dhe miq e familjar të Gjeneral Gecit.

Gjeneral Geci karrierën e tij ushtarake e filloi si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1991- 1999, ishte anëtarë i Shtabit të Zonës Operative të Drenicës, Komandant i Batalionit të Parë në Brigadën 112 “Arben Haliti”, për ta vazhduar kontributin e tij në Trupat Mbrojtjes të Kosovës dhe për ta përmbyllur karrierën ushtarake si gjeneral brigade në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Të ngjashme