Daka ia hedh fajin Sekretariatit të KQZ-së për problemet me formularët e zgjedhjeve

Prishtinë | 01 Jan 2020 | 08:28 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Viti 2019 ka qenë sfidues për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ngase jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar në procesin zgjedhor të 6 tetorit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se 2019-ta ka qenë vit i vështirë për KQZ-në anipse nuk ishte hera e parë që për një vit kalendarik të mbahen dy palë zgjedhje.

“Ka qenë vit sfidues, nuk është hera e parë që ne mbajmë dy palë zgjedhje për një vit, por gjithsesi këto zgjedhje parlamentare kanë qenë pak më sfiduese në kuptimin që pas ditës së zgjedhjeve jo gjithçka ka shkuar ashtu siç kemi planifikuar, ka qenë një vit i vështirë, por megjithatë është përfunduar me sukses”.

Daka ka treguar se KQZ-ja ka pasur kapacitetet e mjaftueshme për të përballuar procesin zgjedhorë edhepse e pranon që ka pasur zvarritje për të cilën fajin ia hedhë sekretariatit të KQZ-së.

“Po KQZ-ja i ka pasur kapacitetet e nevojshme, por duhet të theksohet se nuk kanë qenë zvarritjet nga ana e KQZ-së, por kanë qenë procedura ligjore të cilat ne është dashur patjetër t’i zbatojmë, të cilat kanë sjellë deri tek vonesat. Të them të drejtën faji është gjithmonë jetim megjithatë faji është i Sekretariatit atyre të cilët i përgatisin të gjitha materialet zgjedhore”.

Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve ka ç’regjistruar 8 parti politike, pasi siç thotë Daka ato nuk kanë marrë pjesë në tri palë zgjedhje dhe kanë qenë të detyruar që t’i çregjistrojnë.

“Sipas ligjit partitë të cilat nuk marrin pjesë për tri herë radhazi në zgjedhje e humbin të drejtën të jenë të certifikuara, pra fshihen nga regjistrimi i partive politike, pra këtë herë ka ndodhur që 8 parti të cilat nuk kanë marrë pjesë tashmë tri herë radhazi ne i kemi çregjistruar”.

Daka ka thënë se përfaqësuesit e partive politike që janë anëtarë të KQZ-së mund të ndërrohen pas konstituimit të Kuvendit. Për anëtarët aktual nuk e mohon se kanë pasur edhe “fërkime” gjatë procesit zgjedhor për faktin se janë përfaqësues të partie politike dhe mbrojnë interesat e tyre partiake.

“Tash pas konstituimit shpresojmë që  ta kemi Kuvendin e konstituuar së shpejti, do të konstituohen edhe grupet e reja parlamentare dhe kjo përbërje do të ndryshojë pra do të kemi disa ndryshime dhe me siguri që anëtarët e rinj që do të vinë do të jenë poashtu të vëmendshëm sikur ata që i kemi pasur”.

“Në periudhat jashtë zgjedhore është gjithçka më ndryshe, natyrisht që në periudhën zgjedhore për shkak të interesave të mëdha politike, për shkak të vet faktit që anëtarët janë përfaqësues të subjekteve politike ndoshta ndonjëherë ka edhe ‘fërkime’ ndërmjet tyre, por në përgjithësi ne kemi një bashkëpunim sepse jemi grup kolegiale dhe pa këtë bashkëpunim nuk kishim mund të bashkëpunojmë”, tha Daka për Ekonomia Online.

Të ngjashme