Daka: Kosova po ndërton traditë të çmuar në organizimin e zgjedhjeve

Prishtinë | 01 Jan 2018 | 10:47 | Nga

Viti 2017 për Kosovën ishte i veçantë në aspektin zgjedhor.

Për herë të parë ndodhi që ende pa përfunduar një proces zgjedhor – zgjedhjet qendrore – të nisë procesi tjetër – zgjedhjet lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ndodh para një provimi të madh. Siç thotë kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, për të përfunduar atë është dashur të bëhet punë e shkëlqyeshme.

Në një intervistë ekskluzive për klankosova.tv, përmbyllëse për vitin 2017, ajo ka folur për punën, sfidat, rezultatet e treguara, por edhe gatishmërinë që ka ky institucion për t’i përgatitur zgjedhjet e radhës, kurdo që kërkohet.

Në periudhën kur s’ka zgjedhje angazhimi është më i vogël, prandaj Daka do të ketë kohë që t’i përkushtohet më shumë familjes, posaçërisht nipit të saj, Kronit.

Sa ka qenë sfidë për Komisionin Qendror Zgjedhor viti 2017 dhe a ka qenë ky viti më i vështirë për KQZ-në?

Valdete Daka: Në të kaluarën kemi organizuar së bashku zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por kësaj radhe ka qenë një përvojë më ndryshe, pasi kemi kaluar nga një proces zgjedhor (zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit) në një proces tjetër zgjedhor (zgjedhjet lokale në vjeshtë).

Sigurisht se ka qenë e mundimshme në aspektin organizativ, por sot jemi krenarë se po e përmbyllim këtë vit me sukses.

Cilat ishin problemet kryesore në menaxhimin e dy proceseve zgjedhore, përfshirë edhe balotazhet e shumta?

Valdete Daka: Është e ditur se zgjedhjet janë një ndërmarrje në shkallë të gjerë dhe menaxhimi i një procesi zgjedhor përfshin aktivitete të shumta e afate kohore të komplikuara; trajnim, shpërndarje të një numri të madh punonjësish në terren, mjete logjistike dhe asete organizative dhe monitorim i shumë aktiviteteve që zhvillohen njëkohësisht.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ kolegjial dhe ne kemi arritur këtu së bashku edhe me anëtarët e tjerë të këtij institucioni dhe me përkushtimin në punën e tyre të zyrtarëve tanë.

Pa dyshim se organizimi i zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse për një shtet, qoftë i madh apo i vogël, por mund të them se Kosova tashmë ka traditë të çmuar në këtë drejtim.

A konsideroni se ka pasur ndonjë lëshim në punën e sivjetme të KQZ-së?

Valdete Daka: Unë jam e vetëdijshme se ne nuk jemi të përkryer dhe do të ishte pretendim i madh të synohej kjo.

Por, në punën tonë gjithmonë udhëhiqemi nga ideja për përparim nga një proces zgjedhor në tjetrin. Duke qenë se që një kohë të gjatë jam drejtuese e KQZ-së, besoj se kemi arritur që të hedhim hapa të mëdhenj në drejtim të avancimit të proceseve zgjedhore në vendin tonë.

Pra, konsideroni se keni pasur sukses?

Valdete Daka: Mendoj se suksesi i KQZ-së është i lidhur pashmangshmërisht me angazhimin e përbashkët të të gjithë neve – anëtarëve dhe stafit të KQZ-së.

Konsideroj se pas shumë proceseve zgjedhore, KQZ-ja ka arritur që të sprovohet dhe të rrisë kapacitetet për të administruar zgjedhjet me kompetencë.

Përveç punës së KQZ-së, a mendoni se meritore është edhe ngritja e vetëdijes politike të qytetarëve të Kosovës?

Valdete Daka: Absolutisht se në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor ka shumë aspekte, duke filluar që nga angazhimi i institucioneve tjera (Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit), sjellja e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe sigurisht edhe roli i qytetarëve është i pazëvendësueshëm.

Dua ta shfrytëzoj këtë intervistë për të shprehur, në emër të KQZ-së, mirënjohje dhe falënderime për të gjithë këta që i përmenda, sepse angazhimi i të gjithëve së bashku ndikon në suksesin e një procesi zgjedhor.

Nga një perspektivë objektive, si e vlerësoni punën tuaj për vitin 2017?

Valdete Daka: Kjo është një pyetje e vështirë, pasi pavarësisht pyetjes ky nuk është vetëm një vlerësim për mua, por edhe për të gjithë anëtarët dhe stafin e institucionit që drejtoj.

Prandaj, për hir të punës së palodhshme të të gjithëve, kësaj radhe po ia lejoj vetës që të mos tregohem modeste dhe të them se është bërë punë e shkëlqyeshme.

Si ndjeheni pas përfundimit të proceseve zgjedhore qendrore dhe lokale?

Valdete Daka: Sigurisht se pas përfundimit të procesit zgjedhor, stabilizohet puna jonë brenda orarit zyrtar, nuk është më një punë pa orar dhe kemi kohë më shumë t’i përkushtohemi edhe familjes.

Unë do të kem kohë më shumë që të jem në familje dhe me nipin tim, Kronin, i cili në mars do t’i mbush 4 vjet.

Ka pasur raste në të kaluarën që dy palë zgjedhje të jenë organizuar brenda gjashtë muajsh, sikur sivjet?

Valdete Daka: Jo, kjo është hera e parë që kalojmë nga një proces zgjedhor në tjetrin akoma pa u përmbyllur përfundimisht njëri proces.

Pra, puna e KQZ-së kujtoj se ishte në dy drejtime paralele, njëri kishte të bënte me përmbylljen e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës dhe tjetri me përgatitjet për organizimin e procesit të ri zgjedhor, Zgjedhjeve Lokale.

Me gjithë faktin se viti 2017 ishte vit zgjedhor, ka indikacione se edhe në vitin 2018 do të mund të ketë zgjedhje të reja…

Valdete Daka: Sa herë që bëhet kjo pyetje, KQZ-ja ka vetëm një përgjigje: Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është detyrim kushtetues për institucionin tonë.

Prandaj, nëse kjo gjë kërkohet nga ne, atëherë KQZ-ja është këtu për t’i përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore që ka.

Pas përfundimit dhe certifikimit të zgjedhjeve qendrore dhe lokale, cila është puna e KQZ-së deri në zgjedhjet e reja?

Valdete Daka: Angazhimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i përhershëm në drejtim të avancimit të proceseve të ardhshme zgjedhore.

Në këtë drejtim, së shpejti si institucion do të kemi mësimet e zëna nga proceset zgjedhore të 2017-ës, të cilat do të na shërbejnë në orientimin e punës tonë në të ardhmen.

Gjithashtu, tashmë kemi hartuar Planin e Punës për vitin 2018, që do të miratohet së shpejti, dhe i cili parasheh mjaft angazhime përmes së cilave synojmë të avancojmë edhe më shumë si institucion./KlanKosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme