Damati: Dëshmitari i mbrojtur kërcënohet me jetë në rastin e aferës brenda Policisë

Prishtinë | 09 Dhj 2022 | 15:17 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte planifikuar që të premten të dëshmonte një dëshmitar i mbrojtur.

Por ky i fundit, nuk arriti ta jep dëshminë e tij, për shkak se i njëjti ishte zbuluar nga grupet kriminale dhe ishte kërcënuar me jetë, nëse do të dëshmonte në rastin gjyqësor në të cilën janë të involvuar 20 policë, si të dyshuar për korrupsion e kontrabandë me mallra, raporton Ekonomia Online.

Këtë e ka bërë të ditur, Musa Damati, avokati i eprorit të policisë me inicialet N.G.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Damati ka thënë se gjatë ditës së premte ishte planifikuar të dëshmonte një dëshmitar i mbrojtur, por që i njëjti ishte tërhequr me arsyetimin se ishte ndjerë i kërcënuar.

“Ka vazhduar procesi voluminoz gjyqësor në rastin e aferës më të madhe brenda Policisë së Kosovës, aferës së dyshimeve për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Procesi është mbajtur me datë 8 dhe 9 dhjetor, është proceduar me dëgjimin e dëshmitarëve, mirëpo është kruciale të potencohet se ndërtimi i rasteve të mëdha penale jo mbi bazën e provave të hekurta por mbi bazën e provave të paqëndrueshme, po krijon vështirësi të mëdha gjatë praktikës gjyqësore”, u shpreh Damati.

Damati e ka quajtur skandaloze zbulimin e identitetit nga grupet e caktuara të dëshmitarit të mbrojtur. Sipas tij, i njëjti ishte kërcënuar edhe me jetë ai dhe familja e tij.

“Është kruciale të potencohet se kjo praktikë gjyqësore e cila po ndodh në vazhdimësi në rastet e mëdha që unë punoj dhe të cilat janë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është më të vërtetë jashtëzakonisht skandaloze, për arsye se dëshmitarët e mbrojtur një pjesë e tyre po arrijnë që të identifikohen nga subjektet e caktuara dhe ata në Gjykatë po deklarojnë se janë të kërcënuar, po kërcënohen personalisht ata dhe familjarët e tyre”.

“Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe sot. Dëshmitari i cili ka qenë i planifikuar që të dëshmojë dëshmitari i mbrojtur e të cilin ne nuk e njohim, ka refuzuar që të paraqitet në Gjykatë me arsyetimin se ai dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë. Andaj edhe në mungesë të tij nuk është arrit që të vazhdohet më tutje me procedimin e dëshmitarëve të mbrojtur. Është një alarm me të vërtetë i madh për gjyqësorin e Kosovës”, u shpreh Damati.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme