Daut Haradinaj: Në listat e veteranëve “të rrejshëm” njerëz që e kaluan kufirin mbi 60 herë

Prishtinë | 16 Sht 2018 | 23:02 | Nga

Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar sot lidhur me listën e veteranëve dhe ligjin për këta të fundit, duke thënë se do të largohet nga lista e veteranëve pasi që nuk është bërë verifikimi i duhur.

“Sot e pashë emrin e Rasim Vokshit (Rasim Isuf Mazrekaj) që e paskan heq prej veteranit. Njeriut që i përulem për luftën dhe angazhimin e tij. Mbi 60 herë e ka kaluar kufirin e përgjakshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Asnjë ditë të vetme nuk ka munguar në luftën tonë. Ai është në mesin e qindra djemve që sot u turpëruan me këtë marri shtetërore”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ai vazhdon duke dekalruar që në mesin e atyre që do të hiqen nga listat do të jetë edhe vetë, e duke përfunduar me një këshillë: “Ma mirë ndryshoni ligjin e kthejeni si ju kam thënë se kështu nuk keni me bë zgjidhje. Keni me e përplas popullin mes vete”.

Sot ndaj publikimit të emrave të veteranëve të rremë ka reaguar edhe Shkumbin Demaliaj.

Ai ka thënë se në listë ndodhet edhe babai i tij, Bajrami, ish-pjesëtar i UÇK-së që ka vdekur kohë më parë dhe është varrosur me nderime të larta ushtarake.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë ndaj ish-12 anëtarëve të komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së Agim Çeku, Nuredin Lishtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj and Xhavit Jashari.

Aktakuza ishte ngritur në gusht nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili u largua nga kjo detyrë dhe shkoi në SHBA, pasi tha se kishte marrë kërcënime lidhur me hetimin e listave të fryra të veteranëve të luftës.

Të ngjashme