Deklarata e 2 Korrikut vlerësohet si bazament kushtetues i ndërtimit të Republikës së Kosovës

Prishtinë | 02 Kor 2018 | 13:24 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njëzet e tetë vjet më parë delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, që njihet si Deklarata e 2 Korrikut.

Lexuesi i kësaj deklarate, Muharrem Shabani, ka deklaruar në një prononcim për Ekonomia Online se kjo deklaratë ishte bazament kushtetues i fillimit të ndërtimit të Republikës së Kosovës.

Sipas Shabanit, legjislatura e tyre pati një barrë të rëndë në rrethanat e kohës që të miratojë vullnetin e popullit për shpalljen e Kosovës Republikë, respektivisht njësi të barabartë në kuadër të ish-Jugosllavisë.

“Ishte imperativ i kohës dhe vullnet i popullit që një vullnet i akumuluar me dekada të shprehej në këtë mënyrë. Nën tytat e automatikëve, snajperistëve e formave tjera e përfunduam atë akt që besoj që është një bazament kushtetues i fillimit të ndërtimit të Republikës së Kosovës”.

Shabani theksoi se nëse kthehemi dhe kujtojmë gjendjen kur Kosova ishte në okupim ushtarako-policor dhe e krahasojmë atë me sot, sipas tij, është dallim i pakrahasueshëm.

Por, ai vlerëson se sa i përket realizimit të idealeve dhe vullnetit të popullit ka ende punë për t’u bërë, sepse sipas tij ka zhvillimi ekonomik ka stagnuar dhe se Kosova ka Kushtetutë gjysmëmake.

“Por, nëse kthehemi dhe analizojmë idealet dhe vullnetin e popullit për një shtet të mirëfillt të Kosovës ku qytetarët do të realizonin liritë, të drejtat, prosperitetin e tyre në çdo aspekt të jetës, atëherë kemi shumëçka për të dëshiruar. Ka stagnuar zhvillimi ekonomik, pozita kushtetuese nuk është e zgjidhur si duhet  në kuptimin se kemi një Kushtetutë gjysmëmake”.

Shabani u ka bërë apel të rinjve që ardhmërinë e tyre ta krijojnë në Kosovë dhe të mos dalin jashtë shtetit të tyre, sepse sipas tij këtë ua kanë borxh gjeneratave të kaluara.

Ish-delegati tjetër i Kuvendit të Kosovës, Skender Skenderi, tha për Ekonomia Online se sikur Deklarata e Pavarësisë të mos shpallej atëherë, më 2 Korrik 1990, nuk do të dihej se cili do të ishte fati i  Kosovës.

“Çdo kush e di se sikur të mos ishin bërë ato përpjekje dhe ato realizime që janë bërë, ne kush e di se ku do të ishim.  E pamë që pas saj ndodhi lufta, ndodhën krimet, por të gjitha kanë ndodhur në një Kosovë të shpallur shtet, të pranuar nga mbi 100 vende”.

28 vjet më parë 111 delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut. Më këtë u shënua hapi historik institucional në pavarësimin e Kosovës.

Të ngjashme