Deklarohen më shumë burra të dhunuar në luftë sesa pritej

Prishtinë | 09 Shk 2018 | 20:54 | Nga

Që kur është hapur procesi i palikimit për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë po mësohet se numri i burrave që deklarojnë se janë dhunuar është i madh.

Megjithatë, ende nuk ka të dhëna përfundimtare as për ta e as për viktimat gra të dhunës sëksuale.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, në një prononcim për “Infokusi” ka thënë se për muaj të tërë kanë bërë të gjitha përgatitjen e nevojshme që procesi i verifikimit të shkoj mirë.

“Procesi i aplikimit për njohjen e statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës ka filluar më 5 shkurt të këtij viti ndërsa para fillimit të tij janë bërë të gjitha përgatitjet duke filluar nga Komisioni, organizatat joqeveritare të cilat janë të licencuara nga MPMS për ta ndihmuar procesin, departamentet për veteranë, invalidë që janë të shpërndara në 7 rajone të Kosovës me qëllim të vetëm lehtësimin në qasje për të gjitha viktimat”, ka thënë Rushiti.

Ajo tregon se janë kujdesur që t’ua bënë sa më të lehtë aplikimin e të gjitha viktimave dhe sa më konfidenciale.

“Personat që kanë përjetuar dhunë seksuale kanë tri mundësi ti qasen komisionit, përmes katër organizatave joqeveritare, përmes departamentit për veteranë, dëshmorë, invalidë, aplikimi i drejtpërdrejtë përmes marrjes se formularit nga sekretariati dhe dërgimi i tij te komisioni. Tek ne dhe tri organizatat e tjera joqeveritare në të shumtën e rasteve aplikojnë viktimat që edhe më herët kanë qenë pjesë e përfitimeve të organizatave”

Rushiti ka thënë gjithashtu se procesi i aplikimit po bëhet sipas standardëve themelore duke ruajtur maksimalisht konfidencialitetin e viktimave.

“Në procesin e aplikimit janë të siguruara standardet themelore që nuk ri traumatizojnë viktimat , është mënjanuar paraqitja fizike para komisionit, dokumentet klasifikohen në kategorinë e sigurisë së lartë, personat që pranojnë aplikacionet e viktimave të dhunës seksuale janë të trajnuar që të ruajnë konfidencialitetin e tyre maksimalisht”, ka shtuar ajo.

E rreth numrit të aplikusëve, Rushiti ka thënë se po vërehet një rritje e numrit të tyre ndërsa ka theksuar se rritje po vërehet edhe në aplikuesëve burra.

“Është vërejtur një rritje e fluksit të personave që aplikojnë, shumë prej tyre kanë pas fatin e mirë duke qenë pjesë e organizatave por përfitimet që kanë marrë në këto organizata dallon me procesin e aplikimit. Ne jemi organizata e vetme që i trajtojmë edhe djemtë e burrat që mund të kenë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, dhe po vërejmë rritje të numrit të burrave që po shprehin dëshirën ti gëzoj këto benificione”, ka theksuar Rushiti

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme