Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për shitjen e veturës me dokumente të falsifikuara

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari R.R, është deklaruar i pafajshëm për shitjen e veturës me dokument të falsifikuar.

Këtë deklarim, i akuzuari e bëri në rihapjen e seancës fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pasi që me pëlqimin e të njëjtit, aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Deklarohem i pafajshëm, pasi që unë e kam blerë veturën në atë gjendje dhe nuk e kam ditë që ka qenë e falsifikuar”, tha ai.

Në këto rrethana, gjykatësi Njazi Morina, e ka njoftuar të akuzuarin lidhur me të drejtën e tij për kundërshtim të provave dhe parashtrim të kërkesës për hudhje të aktakuzës, brenda afatit të paraparë ligjor.

Me vendim të gjykatësit Morina, seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 22 dhjetor 202.

Ndryshe, i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar të datës 6 tetor 2021 e kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Ndërsa, në seancën e datës 8 tetor 2021, ku kishte qenë e paraparë, të bëhet shpallja e aktgjykimit, gjyqtari Morina kishte rihapur shqyrtimin fillestar me arsyetimin se i akuzuari pas pranimit të fajësisë dhe pas nënshkrimit të procesverbalit, kishte deklaruar se ka qenë mirë që për seancat e ardhshme të thirret edhe një dëshmitar për këtë rast, të cilin e ka përmendur me emër të përveçëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në qershor të 2020-ës nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, R.R akuzohet se nga data e pacaktuar e deri në korrik të vitit 2019, në Malishevë, kishte përdorur dokumentin e falsifikuar dhe ka shitur automjetin tek personi tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari me dije përdor dokumentin e falsifikuar dhe atë numrin e karrocerisë së automjetit të tij të markës “Golf II”, duke rishtypur numrat e karrocerisë dhe të njëjtin e ka përdorur derisa këtë veturë ia ka shitur L.D.

Gjithnjë sipas aktakuzës, L.D me ta marrë këtë veturë, e dërgon për kontroll në Qendrën e Automjeteve të Kosovës, ku dyshohet për manipulim dhe pas ekzaminimeve të kryera nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, ka rezultuar se numrat e karrocerisë së automjetit janë të manipuluara dhe pas kësaj, zyrtarët policorë kanë sekuestruar automjetin në fjalë.

Më këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 390, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.

Të ngjashme