Delawie: Gratë posedojnë aftësi për të ndihmuar zhvillimin e vendit

Prishtinë | 19 Kor 2016 | 15:37 | Nga

Fushata nacionale në përkrahje të të drejtave pronësore të grave ka filluar sot në Komunën e Vitisë, në prezencën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, zëvendëskryeministrit të parë, Hajredin Kuçi, si dhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e cila është organizuar nga programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore dhe komuna e Vitisë.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Kuçi, ambasadori Delawie dhe kryetari Haliti, kanë vendosur lule tek busti i diplomatit të ndjerë amerikan, Richard Holbrooke. Pas një vizite në qytet, fushata lansuese për të drejtat pronësore është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës.

Zëvendëskryeministri Kuçi kërkoi që të gjithë të punojnë së bashku në mënyrë që grave t’iu respektohet e drejta në pronë.

“Ne gjithë kemi thënë dhe themi vazhdimisht, nënat janë shtyllat tona të familjes. E nëse është shtylla e familjes, duhet të jenë të trajtuar barabartë, vajzat tona, gratë tona, dhe gjithë të tjerat.  Nëse njeriut ia merr besimin dhe të drejtën për pronë, ia ke marrë një pjesë të madhe të identitetit të tij, ose të saj. Andaj nuk kemi të drejtë që t’ua marrim të drejtën për pronë vajzave dhe motrave tona”

“Gjithë këtë do ta bëjmë bashkërisht, jo vetëm burrat për gratë, ose vëllezërit për motrat, por edhe gratë për gratë, motrat për motra, dhe të gjithë ne. Nëse në vendin tonë gjysma e gjinisë është femërore, nuk mund ta zhvillojmë ekonominë tonë, nëse ato nuk i kemi trajtuar në mënyrë të barabartë”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se aktualisht po punohet në përfundim të një Strategjie Kombëtare për të Drejtat Pronësore, ku vend të veçantë do të kenë të drejtat pronësore për të drejtat e grave.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka theksuar se e drejta pronësore është e drejtë themelore, dhe është esenciale për ekonominë e  tregut.

Ai tha se është me interes që të theksohet se korniza ligjore për të drejtat pronësore është mjaft e mirë, por mungesa e konsistencës në zbatimin e këtyre ligjeve është shqetësuese.

Delawie po ashtu tha se gratë në Kosovë posedojnë aftësi dhe energji për të ndihmuar zhvillimin e vendit, për të zgjeruar bizneset dhe për të krijuar vende pune, po ashtu edhe për të kryer detyra si president i Republikës së Kosovës.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka theksuar se mungesa e respektimit të së drejtës pronësore për gratë, nuk e dëmton vetëm individin, por gjithë shoqërinë.

“Prandaj, ne si Komunë e Vitisë, me mundësitë tona dhe me ndihmën e donatorëve kemi stimuluar gratë për përfshirjen e tyre në afarizëm përmes heqjes së taksës komunale për regjistrim të biznesit, kemi mbështetur ato përmes subvencioneve dhe mjeteve konkretizuese për kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë familjare, duke u përkushtuar në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, dhe sot numërojmë gra afariste të cilat përbëjnë konkurrencë në tregun lokal, por edhe më gjerë”, ka theksuar Haliti.

Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri Kuçi ka vizituar edhe ekspozitën “Shtëpia dhe familja”, aktivitet në kuadër të kësaj ngjarje, e organizuar me punimet e nxënësve të klasave të dyta dhe të treta të shkollave të Vitisë.

fushata per grate

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme