Delta edhe në Kosovë, a janë efektive vaksinat ekzistuese

Prishtinë | 08 Kor 2021 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Drejtori në detyrë i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë se në këtë klinikë për momentin janë duke u trajtuar vetëm 11 pacientë me COVID-19.

“Kemi raste tash më pak dhe si rrjedhojë kemi edhe të specializuar dukshëm më pak. Aktualisht i kemi 11 pacientë të shtrirë në klinikë ku pesë prej tyre janë me oksigjeno-terapi. Është një numër relativisht i vogël krahasuar me 120 pacientë që i kemi pasë dikur”.

Derisa shumë vende të botës tashmë po ballafaqohen me variantin e ri të COVID-19, sa është e rrezikuar Kosova nga varianti Delta?

“Në vendet e tjera është raportuar për praninë e variantit Delta dhe natyrisht se edhe Kosova nuk është imune. Një formë e tillë padyshim që pritet se do të vijë në fazat e mëvonshme, mirëpo Klinika Infektive dhe institucionet e tjera shëndetësore janë duke përcjellë ditë për ditë situatën epidemiologjike në vendin tonë”.

Vishaj, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka treguar nëse vaksinat ekzistuese janë efektive ndaj variantit të ri të koronavirusit i cili ka marrë hov.

“Emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre viruseve është se ky infeksion mund të parandalohet me vaksinim. Esenca e të gjithë varianteve që ekzistojnë është se vaksinimi ëhstë i vetmi mjet që parandalon praninë e tyre”.

“Të gjitha vaksinat që ne i kemi në dispozicion në vendin tonë janë efikase në parandalimin e përhapjes dhe imunizimin e popullatës në përgjithësi, qoftë ndaj variantit që është prezent tani ashtu edhe ndaj varianteve të COVID-19 që kanë qenë më herët”.

Drejtuesi i Klinikës Infektive që edhe pas më shumë se një viti është në krye të luftës me pandeminë ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen pa asnjë hezitim – si me Pfizer, ashtu edhe me AstraZeneca.

“E vetmja mënyrë që skenarët e këqija të mos ndodhin është vaksinimi i popullatës. Në vendin tonë ka filluar vaksinimi masiv, dhe qytetarët nuk duhet ta kenë asnjë hezitim. Zgjidhja më e mirë është vaksinimi dhe atë vaksinimi me të gjitha llojet e vaksinave që i kemi, sepse që të gjitha janë vaksina të mira dhe të aprovuar nga agjencionet kredibile botërore dhe janë shumë efikase”.

Të ngjashme